Sport

Besart Berisha i përkushtuar të shënojë golin e parë të edicionit

Besart Berisha e ka të vështirë të pranojë faktin se nuk ka realizuar asnjë gol në edicionin e ri të kampionatit të Australisë në futboll. Golashënuesi më i mirë në histori të A-Leagues është në seri prej pesë ndeshjeve pa gol. Nuk kishte shënuar në dy ndeshjet e fundit të edicionit të kaluar dhe nuk ka gjetur rrugën drejt portës as në tri ndeshjet e para të edicionit 2020/2021.

35-vjeçari po mundohet të ruajë qetësinë dhe beson se pasi të shënojë golin e parë do të vazhdojë me shumë të tjerë. Ai është në pritje të golit të 136-të në A-League, ka shkruar “news.com.ua” të enjten.

“Unë i dua golat, vërtetë i dua”, ka thënë Berisha. Skuadra e tij Western United luan ndaj Melbourne Victory të shtunën. Melbourne Victory është ish-skuadër e Berishës.

“Është në ADN-në time. Ndiej se nuk mund të jetoj pa gola. Më duhen golat. Jam sulmues tipik dhe jetoj për gola. Golat i ndihmojnë ekipit, por më ndihmojnë edhe mua, pasi unë jam sulmues që i dua golat”, ka theksuar ish-reprezentuesi i Kosovës dhe Shqipërisë.

Për befasi, Berisha nuk kishte realizuar në fitoren 5:4 të Western Unitedit ndaj Perth Gloryt, më 23 janar.Trajneri i Unitedit, Mark Rudan kishte kërkuar nga lojtarët që të shërbejnë më mirë Berishën.

“Ne të gjithë e dimë se lojtarët po mundohen. Për këtë arsye nuk ankohem, pasi e shoh që ata angazhohen shumë. Thjeshtë goli nuk ka ardhur. Po bëj vrapime të mira dhe jam atje ku duhet të jem. Nëse mund të më shfrytëzojnë më mirë, mund të kemi më shumë ndikim. Por po qëndroj pozitiv pasi e di që po bëj gjërat e duhura”, ka thënë Berisha.