Lejohet basketbolli në Shqipëri, në mars nisin aktivitetet e Ligës Unike

Në rrethana më të favorshme, Liga Unike do të ishte ne vlugun e saj. Por situata me pandeminë ka bërë që Liga e planifikuar të fillojë në tetor të vitit të kaluar, të mos jetë as pranë fillimit.
Në Ligën Unike do të garojnë skuadra të basketbollit nga Kosova e Shqipëria, ndërsa disa aktivitete të saj priten në muajin mars.
Si pjesë e luftës ndaj përhapjes së COVID-19, në Shqipëri nuk janë lejuar aktivitetet sportive në palestra. Nuk janë lejuar as ndeshjet dhe stërvitjet e basketbollit dhe për këtë arsye nuk filloi Liga Unike.
Por të enjten është bërë e ditur se basketbolli në Shqipëri ka marrë dritën e gjelbër për të nisur me aktivitete. Dhe i pari i basketbollit në Shqipëri, Avni Ponari menjëherë ka paralajmëruar angazhimin për Ligën Unike, projekt që ishte prezantuar me bujë, por që u stopua. Më 10 shtator të vitit të kaluar ishte nënshkruar marrëveshja për Ligën Unike.
“Sot komuniteti i basketbollit ka përjetuar një lajm shumë të rëndësishëm. Kjo falë shumë përpjekjeve tona si federatë, së bashku me FIBA-n. Ndërkohë duhet falënderuar drejtuesit që më në fund lejuan zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe basketbollit, i cili ngadalë po humbte reflekset e rëndësishme që ka. Kështu që ky lajm gëzoi jo vetëm federatën, por të gjithë komunitetin e basketbollit. Është një ngjarje e rëndësishme. Një rilindje do të thosha, pasi ka kaluar gati një vit që basketbolli ka qenë në pushim”, ka thënë Ponari për “oranews.tv”.
Ai ka njoftuar se të shtunën do të mbahet një asamble e Federatës së Shqipërisë ku do të vendoset për datën e fillimit të garave.
“Sapo morëm konfirmimin, nisëm negociatat dhe diskutimet me Federatën e Kosovës për të filluar ligën e shumëpritur, Ligën Unike, e cila do t’i japë basketbollit një impuls dhe një forcë të re”, ka shtuar Ponari, kryetar i Federatës Shqiptare të Basketbollit. Ai kishte dhënë idenë për Ligën Unike.
Pritet që ndeshjet e para të basketbollit në Shqipëri të luhen në muajin shkurt. Ndërsa aktivitete në formë turnesh të Ligës Unike priten prej marsit. Do të mbahen turne në Kosovë e Shqipëri, ndërsa liga në formë të rregullt nuk pritet deri në vjeshtë. Marrëveshja është që katër skuadra nga Kosova dhe katër nga Shqipëria të luajnë në Ligën Unike.
“Javën e ardhshme pritet të takohet Bordi Drejtues i Ligës Unike dhe do të vazhdojmë me përgatitjet. Nuk do të ketë asnjë aktivitet të Ligës Unike deri më 21 shkurt, deri kur të përfundojnë ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës. Jemi shumë të lumtur që basketbollit në Shqipëri i janë lejuar aktivitetet”, ka thënë për KOHËN, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.
Sipas saj, ideja është që në mars të fillohet me turne në Kosovë e Shqipëri.
“Plani është të përgatitemi në formë të turneve të formës ‘Final 8’ ose diçka të tillë. Por ideja është që gjithsesi të ketë ndeshje në Kosovë dhe Shqipëri. Deri në vjeshtë nuk besojmë se do të kemi ligë të rregullt. Edhe ndeshjet e pjesës së parë të vitit do të luhen në dy shtetet, ndërsa do të shohim edhe për vajza të kemi ndonjë aktivitet, që skuadrat të kenë sa më shumë ndeshje”, ka shtuar Dushku.
Skuadrat kosovare kanë hequr dorë nga Liga Ballkanike, e për shkak të vështirësive financiare edhe nga garat evropiane. Liga Unike është dashur të jetë risi për këtë edicion, por ajo është shtyrë. Ndërkohë skuadrat në Shqipëri pritet të kenë telashe të mëdha pas rifillimit. Ndër të tjera, shumë lojtarë nga Shqipëria kanë kaluar në skuadrat kosovare dhe ata kanë kontrata deri në fund të edicionit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.