Sport

Lidhja me Milanin po e ndihmon projektin e Berlusconit te Monza

Milano, 26 janar (Reuters) – Skuadra italiane Monza u ngrit në Serie B vetëm qershorin e vitit të kaluar, pas një mungese prej 19 vjetësh. Por me pak ndihmë nga disa emra tërheqës, brenda dhe jashtë fushës, krerët e klubit po ëndërrojnë të futen në Serie A për herë të parë.

Klubi është me bazë rreth 15 kilometra larg Milanos dhe e ka të vështirë të tërheqë vëmendjen e tifozëve nga gjigandët e futbollit të qytetit, Interit dhe Milanit. Por Monza po bën të pamundurën për t’i kthyer disa adhurues nga vetja. E blerë nga ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, në vitin 2018, Monza zë vendin e dytë në Serie B pas gjysmës së sezonit të luajtur. Fitorja e fundit ndaj Brescias ka bërë që Monza pas 19 ndeshjeve të tubojë 34 pikë, katër më pak se Empoli që prin në klasifikim. Pozita aktuale është një territor pothuajse i panjohur për një skuadër që nuk ka garuar kurrë në Serie A dhe jo më lart se kategoria e tretë e futbollit italian që nga sezoni 2000/01.

Berlusconi ishte më parë pronar i Milanit për tri dekada, gjatë periudhës më të suksesshme të klubit dhe së bashku me shefin ekzekutiv të Monzas, Adriano Galliani, kanë shijuar vitet e lavdishme të ekipit nga “San Siro”. Tani kjo dyshe po punon edhe te Monza.

Berlusconi, 84-vjeçar, u është drejtuar disa fytyrave të njohura për të udhëhequr projektin e tij më të fundit. Ish-sulmuesi i Milanit dhe Manchester Cityt, Mario Balotelli shënoi pas katër minutave në debutimin e tij te Monza muajin e kaluar përpara se të lëndohej, ndërsa një tjetër ish-sulmues i Milanit, Kevin-Prince Boateng, po e ringjall karrierën e tij në Lombardi. Mbrojtësi veteran Gabriel Paletta kompleton treshen e ish-lojtarëve të Milanit duke bërë një ndikim pak jashtë qytetit, ndërsa trajneri Cristian Brocchi ishte gjithashtu një lojtar i “Rossonerëve” dhe gëzoi një periudhë të shkurtër si trajner në “San Siro” gjatë vitit 2016. Me këta persona, Berlusconi tashmë po e ëndërron paraqitjen e Monzas në Serie A sezonin tjetër dhe këtë e pranon edhe trajneri Brocchi.

“Ata (Balotelli dhe Boateng) arritën këtu në Serie B falë njohjes që patën me Berlusconin e Gallianin, dhe madje edhe me mua si menaxher”, pranoi Brocchi. “Ata u përshtatën shumë mirë dhe mund të them se stërviten fort dhe japin maksimumin në çdo ndeshje. Ata kanë vullnetin e duhur dhe janë të bindur se do ta udhëheqin Monzan në Serie A ndërsa janë shembull për të gjithë lojtarët e rinj. Deri më tani ata kanë qenë shumë të rëndësishëm për ekipin dhe të shpresojmë që të vazhdojmë me këtë formë dhe të realizojmë ëndrrën tonë të madhe, promovimin në Serie A”.

Përderisa përvoja e ish-pjesëtarëve të Milanit është dëshmuar jetësore për Monzan në këtë sezon, disa lojtarë të rinj gjithashtu e kanë luajtur rolin e tyre në këtë sukses. Boateng është golashënuesi më i mirë i Monzas në Serie B deri më tani me katër gola të shënuar, së bashku me 22-vjeçarin Dany Mota dhe Davide Frattesi, 21 vjeç, që është i huazuar nga skuadra e Sassuolos.

“Monza është një përzierje e lojtarëve me përvojë dhe talentëve të mëdhenj dhe deri më tash kjo po jep fryte. Me një fjalë, është përzierja e duhur për të arritur qëllimet tona”, insistoi Brocchi.