Sport

Kamer Qaka te Shkëndija e Tetovës

Lojtari që ka disa paraqitje për Shqipërinë, Kamer Qaka, është transferuar të martën mbrëma te Shkëndija e Tetovës. Qaka, që ka luajtur për të rinjtë e Norvegjisë, ka firmosur për 18 muaj me Shkëndijën, skuadrën kryesore të futbollit në Maqedoni të Veriut.

Qaka është vlerësuar talent shumë i madh në Norvegji, por nuk ka arritur ende atë që pritej prej tij. Ka luajtur për skuadra si Valerenga, Raufoss, Honefoss, Sarpsborg, Kristiansund e Kongsvinger. Së fundi ishte paraqitur në kategorinë e dytë norvegjeze. Disa vjet i ka kaluar në futbollin rumun.

Qaka, që luan mesfushor, i ka katër paraqitje për Shqipërinë.

“Është shumë ndjenjë e mirë të jem pjesë e Shkëndijës. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për këtë klub, se është serioz. Mezi pres të luaj për ekipin për të treguar edhe potencialin tim. E di se Shkëndija është shumë e fortë në kampionat aq sa kam parë unë, por edhe në Evropë kam ndjekur disa ndeshje shumë të mira dhe është përballur me skuadra të njohura. Shpresoj që edhe unë do të mund të ndihmoj skuadrën për të arritur edhe më shumë”, ka thënë Qaka.