Romë, 25 janar (Reuters) – Një fundjavë e befasive e ka bërë më të vështirë se kurrë të parashikohet fituesi i titullit të kampionit në këtë edicion të Serie A. Kur gara ka arritur në gjysmë, dallimi mes shtatë skuadrave të para në tabelë është fare i vogël.
Milani u kurorëzua “kampion dimri” të shtunën, “titull” i dhënë ekipit që është lider i kampionatit pas 19 ndeshjeve të zhvilluara. Milani është lider pas gjysmës së kampionatit, pavarësisht humbjes 3:0 të pësuar në shtëpi nga Atalanta.
Milani prin në tabelë me 43 pikë, nëntë më shumë se Lazio, që është e shtata. Është diferenca më e vogël midis shtatë ekipeve më të mira në këtë fazë të kampionatit për një dekadë. Herën e fundit që shtatë të parat ishin në garë kaq të ngushtë ishte në edicionin 2010/11, që edhe mbetet edicioni i fundit në të cilin skuadra e Juventusit nuk arriti të fitonte kampionatin. Milani u kurorëzua kampion atë edicion, me Zlatan Ibrahimoviqin që u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit në edicionin e tij të parë në klub.
Suedezi 39-vjeçar ka qenë thelbësor në ringjalljen e Milanit këtë edicion që kur u kthye në stadiumin “San Siro” në janar të vitit të shkuar. Mentaliteti fitues i tij ishte ai që u vlerësua për formën e Milanit, me përjashtim të humbjes më të thellë të sezonit nga Atalanta.
“Të jesh kampion i dimrit nuk do të thotë asgjë”, tha Ibrahimoviq. “Ne jemi në gjysmë të sezonit. Ne kemi bërë mirë deri më tani por nuk kemi arritur asgjë akoma, kjo është pjesa më e vështirë. Duhet të vazhdojmë me fitore edhe në pjesën e dytë”.
Titulli i mesit të sezonit merret seriozisht në Itali, kryesisht për shkak të precedentit historik. Vetëm dy herë që kur kampionati u kthye në 20 ekipe në vitin 2004, kampionët e dimrit nuk arritën të përfundojnë në krye, në fund- Napoli në sezonin 2015/16 dhe 2017/18.
Milani ka pësuar dy humbje në katër ndeshjet e fundit në kampionat, por rivalët e tij më të mëdhenj për titullin e kampionit, Interi dhe Juventusi, nuk kanë arritur të përfitojnë. Trajneri i Interit, Antonio Conte, u përjashtua për mospajtim në fund të një barazimi zhgënjyes, 0:0, në udhëtim kundër Udineses të shtunën. Barazimi e la ekipin e tij dy pikë larg liderit.
Por Interi duket më i mobilizuar për të fituar kampionatin dhe është ekipi i vetëm prej shtatë të parëve që nuk ka angazhime evropiane pasi u eliminua në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Kampioni në fuqi, Juventusi, po i nënshtrohet një sezoni ndryshimesh nën drejtimin e trajnerit rishtar Andrea Pirlo. Si ekip, Juventusi nuk ka treguar stabilitet deri më tani por cikli nëntëvjeçar i dominimit të klubit nga Torino nuk mund të injorohet. Ekipi i Pirlos ka një lojë më pak të zhvilluar dhe atë kundër Napolit, ekip të cilin e mposhti 2:0 mesjavën e shkuar në kuadër të Superkupës së Italisë.
Juventusi pra është ekipi që ka fituar trofeun e parë të këtij edicioni dhe ka shtatë pikë më pak se Milani.
“Nuk do të dorëzohemi dhe synimi mbetet titulli i dhjetë rresht”, ka insistuar trajneri Pirlo, pas fitores së fundit ndaj Bolognas (2:0).
Atalanta ka përfunduar e treta për dy vjet radhazi dhe arriti në çerekfinale të Ligës së Kampionëve edicionin e shkuar, që edhe ishte sezoni debutues në këtë garë për ekipin e trajnerit Gian Piero Gasperini. Klubi nga Bergamo ishte në Serie B herën e fundit që gara për titull ishte kaq e ngushtë dhe këtë edicion ka buxhetin e 11-të më të lartë për paga në Serie A. Por një triumf në fund të edicionit nuk mund të përjashtohet për Atalantan. 36 pikë të tubuara pas 19 ndeshjeve është një rekord për këtë skuadër që synon ta përfundojë fuqishëm sezonin.
Forma e Romës dhe e Napolit është në rënie kohët e fundit dhe trajnerët e këtyre dy skuadrave, Paulo Fonseca dhe Gennaro Gattuso, janë nën presion të madh për të ardhmen e tyre. Ndërkohë, Lazio po vazhdon gradualisht ngjitjen në tabelë pas katër fitoreve rresht në ligë.