Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka njoftuar të hënën se ka marrë vendim që turneu “Final 8” i Kupës së Kosovës, të organizohet në qytetin e Suharekës.
Në njoftimin e FBK-së, thuhet se pas tërheqjes së Rahovecit javën e shkuar nga organizimi i kësaj ngjarjeje, të drejtën e organizimit ia kanë dhënë skuadrës së Yllit pas interesimit të krerëve të klubit nga Suhareka.
“Final 8” i Kupës së Kosovës, do të mbahet prej datës 3 deri më 7 shkurt. Edicionin e shkuar, trofeun e Kupës së Kosovës në basketboll e fitoi skuadra e Pejës që në finalen e luajtur në palestrën “Mizahir Isma” të Rahovecit, triumfoi ndaj Yllit.