Përderisa afati kalimtar i janarit po futet në ditët e fundit, klubet më të mira të Evropës po qëndrojnë ngushtë me kufizimet financiare të rritura që nga shfaqja e pandemisë. Kjo a bërë që të ketë rënie të numrit të transferimeve të futbollistëve në të gjithë botën.
Për herë të parë për një dekadë, numri i transferimeve ndërkombëtare ka rënë në krahasim me vitin e kaluar për 5.4 për qind, ndërsa tarifat totale të transferimit ranë për gati një të katërtën si pasojë e krizës globale, thuhet në raportin vjetor të FIFA-s.
Klubet angleze përsëri zvogëluan shpenzimet, duke bërë vetëm 1.63 miliard dollarë të shpenzimeve të përgjithshme prej 5.63 miliardë dollarësh në vitin 2020. Është më shumë se dyfishi i 731.5 milionë dollarëve të paguara nga klubet italiane.
Por ekipet kryesuese të Premier Leagues kanë qenë jashtëzakonisht të qeta këtë muaj, duke mos reaguar në transferimin e futbollistëve, gjë që ka befasuar edhe njohësit e këtij sporti. Në fakt ky veprim tashmë është një model i qëndrueshëm në të gjithë Evropën, me lëvizjen më të madhe të dimrit deri më tani çuditërisht të bërë nga skuadra e Ajaxit. Ekipi nga Amsterdami pagoi shifër rekorde të klubit prej 22.5 milionë eurosh për transferimin e sulmuesit të Bregut të Fildishtë, Sebastien Haller nga West Ham Unitedi. Afati i transferimit është aktiv për më shumë se një javë pushim dhe tradita dikton që aktiviteti të rritet gjatë ditëve të mbylljes. Por, financat gjithnjë e më të rrezikuara sugjerojnë se transferimet me para të mëdha nuk ka gjasa të ndodhin.
“Unë i di mirë kufijtë financiarë në klub”, tha trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, i cili mund të duhet të presë deri në verë për të transferuar falas mbrojtësin Eric Garcia të cilit kontrata me Manchester Cityn i skadon në fund të këtij sezoni.
“Çdo trajner shikon janarin dhe mendon se si mund ta përmirësojë ekipin dhe unë jam i njëjti. Ajo që unë kam bërë është bërja e një plani të largimeve dhe afrimeve që mund të vijnë. Nëse nuk është e mundur, atëherë ne do të vazhdojmë me lojtarët që i kemi”.
Për dallim prej ligave tjera, skuadrat e Ligue 1 të Francës janë duke llogaritur koston thelbësore të rënies së marrëveshjes për të drejtat televizive me kompaninë “Mediapro”. Me shkurtimin e sezonit 2019/20 të Ligue 1 dhe humbjen e të ardhurave nga mungesa e spektatorëve, kampionati po përpiqet të gjejë një partner të ri të transmetimit për të shmangur dëmtimet shtesë pas prishjes së një marrëveshjeje rekord në vlerë 800 milionë euro në vit. Klubet franceze mblodhën 398.1 milionë dollarë nga shitja e lojtarëve në Angli në vitin 2019. Kjo shifër ra në 216.4 milionë dollarë vitin e kaluar pas pandemisë Covid-19 dhe sfidat e paraqitura nga sistemi i ri i bazuar në pikë në Britani, mund të zvogëlojnë biznesin edhe më shumë .
Sindikata që përfaqëson klubet e nivelit të lartë të Francës beson se tronditja - e cila do të parandalojë klubet angleze të nënshkruajnë lojtarë nën moshën 18 vjeç nga jashtë - mund të ndryshojë disa gjëra për mirë në shtëpi .
“Kjo do të detyrojë futbollin francez të mendojë për një model tjetër, dhe është ndoshta një mundësi. Ne ndoshta mund t'i mbajmë lojtarët tanë pak më gjatë, t'u japim atyre kontrata më të gjata”, thuhet në përgjigjen e sindikatës.
Shpenzimi neto i Premier Leagues prej rreth 800 milionë funteve verën e kaluar, ishte i dyti më i larti në një dritare të vetme të transferimit. Por, mungesa e vazhdueshme e mbështetësve ka lënë klubet më të mëdha të dëshpëruara për të larguar lojtarët dhe për të minimizuar skuadrat e fryra, për të shkurtuar faturat e pagave. Aston Villa thuhet se është në negociata për mesfushorin e Marseillet, Morgan Sanson por disa nga lëvizjet më të dukshme përfshijnë ato Mario Manxhukiqit që iu bashkua Milanit si lojtar i lirë dhe ajo e Mesut Oezilit që shkoi te Fenerbahçe, pasi u lirua nga Arsenali. RB Leipzigu transferoi yllin e Hungarisë, Dominik Szoboszlai nga klubi simotër Salzburgu ndërsa Luka Joviq është kthyer në Eintracht Frankfurt si huazim nga Real Madridi. Moussa Dembele shkoi tek Atletico Madridi në të njëjtën formë nga skuadra e Lyonit.
Sulmuesi Erling Haaland i Borussia Dortmundit është njëri prej lojtarëve më të kërkuar, por vështirë se skuadra nga Bundesliga do të marrë ndonjë ofertë të majme gjatë këtij muaji për norvegjezin. Ndërsa, mesfushori anglez, Dele Alli, mund të ribashkohet me trajnerin Mauricio Pochettino te skuadra e Paris Saint-Germainit, por mbetet të shihet se a është i gatshëm Tottenhami ta pranojë ofertën e huazimit për një futbollist që këtë edicion e ka humbur vendin e titullarit te Jose Mourinho.
“Kemi nevojë për transferime, por është dikush tjetër që vendos për to, pasi nuk mund të shpenzojmë para në këtë kohë të vështirë”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp që është në kërkim të një qendërmbrojtësi pas lëndimit të holandezit Virgil van Dijk.