Sport

Koljeviq sjell te Trepça përvojën e fituar në skuadra të mëdha evropiane

Të martën u zyrtarizua kurse të enjten e udhëhoqi skuadrën e Trepçës drejt fitores në udhëtim kundër Sigal Prishtinës. Bëhet fjalë për plejmejkerin nga Mali i Zi, Ivan Koljeviq, që në ndeshjen debutuese me fanellën e Trepçës regjistroi 21 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Në fakt Koljeviq ishte më efikasi te skuadra nga Mitrovica që regjistroi fitoren e dytë rresht në kampionat pas një serie prej dhjetë humbjeve. Trepça e mposhti Prishtinën në kryeqytet me shifrat 79:75.

Koljeviq ka thënë për KOHËN se ka pritur një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë zyrtare me Trepçën por jo edhe të jetë më i miri. Ai ka thënë se është e rëndësishme që ekipi ka shënuar fitore dhe ka premtuar se deri në fund të sezonit do të angazhohet maksimalisht për ta ndihmuar ekipin mitrovicas që të arrijë synimet.

Koljeviq tregon se Trepça fillimisht do të përpiqet që sa më shpejt të largohet nga pozita e fundit në tabelë dhe pastaj do të synoj pjesëmarrjen në garat e plejofit. Edhe këtë edicion sikurse në të shkuarin, gjashtë ekipet e para të pjesës së rregullt do t’i vazhdojnë garat në plejof, ku garohet për titullin e kampionit.

“Kam besuar ndoshta në një paraqitje solide dhe vetëm e kam dhënë maksimumin tim në ndeshjen e parë. Ishte e rëndësishme të fitojmë dhe jam shumë i lumtur që ia dolëm”, është shprehur Koljeviq të premten. “Krejt çka mund të them është se do të angazhohem maksimalisht dhe do të luftoj në çdo ndeshje për këtë ekip, deri në fund të këtij edicioni. Kam ardhur këtu për të dhënë kontributin dhe ndihmën time”.

Koljeviq 36-vjeçar i është bashkuar Trepçës pas dhjetë ndeshjeve të luajtura me ekipin elitar të Malit të Zi, Zeta, ku kishte statistika impresive. Ai me fanellën e Zetas ka luajtur me një mesatare prej 23.9 pikëve, 6.4 kërcimeve dhe 8.6 asistimeve për ndeshje.

Koljeviq zbuloi se ishte kontaktuar nga drejtuesit e Trepçës pas formës fantastike që po tregonte në kampionatin e Malit të Zi dhe pasi kishte dëgjuar ofertën nuk kishte hezituar që të vazhdonte karrierën në Superligën e Kosovës.

“Më kontaktuan prej Trepçës pasi ishin të bindur se mund ti ndihmoja këtë edicion pas formës që kam treguar. Kështu që e pranova këtë sfidë dhe dua të dëshmohem edhe në këtë ligë. Jam mirënjohës për rastin e dhënë dhe besoj që do të tregohem i suksesshëm me fanellën e Trepçës”, ka shtuar Koljeviq, i cili ka pranuar se ka njohuri për elitën e basketbollit kosovar.

“Miqtë e mi më kanë dhënë përgjigje pozitive për cilësinë e ligës dhe konkurrencën e fortë këtë edicion. Ndeshja ime e parë gjithashtu ishte dëshmi për mua se bëhet fjalë për një ligë të fortë. Më vjen mirë që këtë edicion do të jem pjesë e Superligës së Kosovës ku të gjitha ekipet kanë cilësi të përafërta”.

Koljeviq (186 cm) është njëri prej basketbollistëve me karrierën më të bujshme e që aktualisht paraqitet në basketbollin e Kosovës. Krahas ekipeve të Malit të Zi ka luajtur edhe për ato të Spanjës, Greqisë, Turqisë, Ukrainës, Polonisë, Rusisë, Sllovenisë e Iranit.

Ai në vitin 2000 ka nisur si profesionist te Lovçeni në Mal të Zi për të vazhduar te Buduqnosti i Podgoricës, Bilbao Basket, Olympiacos, Lietuvos Rytas, PBC Ural Great Perm, Cherkaski Mavpy, Bornova Belediye, Khimik Yunzhy, Trikala, Turow Zgorzelec, Polpharma Starograd Gdanski, Odessa, Esteghlal, Naft Abadan, Towzin e Shençur.

“Jam i kënaqur që përgjatë karrierës sime kam pasur mundësi të luaj nëpër shtete të ndryshme dhe të njoh kultura, mentalitete dhe sisteme të lojës. Megjithatë, ardhja te Trepça është një mundësi e re dhe besoj se do të përshtatem shumë shpejt, pasi do të jap maksimumin për një start të fuqishëm. Mendoj se do të përmirësohem nga ndeshja në ndeshje dhe me këtë edhe ekipi do të ngrihet gradualisht, që është gjëja më e rëndësishme. Te Trepça po ndërtohet diçka e re dhe nëse angazhohemi në secilën ndeshje, atëherë rezultati do të vijë vetvetiu”, insistoi Koljeviq.

Basketbollisti malazez theksoi se është herët të flas për ndonjë trofe eventual në Kosovë me Trepçën por paralajmëroj se së bashku me lojtarët tjerë të klubit dhe stafin e trajnerëve, do të përpiqet t’i gëzojnë tifozët, të cilët për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk po lejohen në tribuna.

“Unë mendoj stërvitje për stërvitje dhe ndeshje për ndeshje për shkak se vetëm kështu mund të shkohet përpara. Në përgjithësi mendoj se kemi ekip dhe së bashku mund të arrijmë diçka të veçantë si për ekipin ashtu edhe për tifozët. Do të ishte madhështore”, u shpreh Koljeviq.

Koljeviq është basketbollisti i tretë i huaj te Trepça, pos amerikanit Dillon Smith dhe grekut Stavros Toutzaiarkis. Ky i fundit, që luan në pozitën e qendrës, u shqua së bashku me Koljeviqin në fitoren kundër Sigal Prishtinës. Kontribuoi me 11 pikë e shtatë kërcime. Në krye të ekipit është trajneri nga Turqia, Serhat Shahin.

Pas 16 xhirove të luajtura në Superligën e Kosovës, skuadra e Trepçës zë vendin e fundit në tabelë me 20 pikë, sa i kanë edhe Vëllaznimi e Sigal Prishtina që renditen në pozitën e shtatë, përkatësisht të gjashtën.