Sport

Ylli fiton pa telashe ndaj Bashkimit

Golden Eagle Ylli e ka mposhtur skuadrën e Bashkimit në kuadër të xhiros së 16 të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja e luajtur të mërkurën në Suharekë, ka përfunduar me shifrat 96:73 në të mirë të skuadrës së Yllit.

Për Yllin, kjo është fitorja e dytë rresht që e ngrit në kuotën e 26 pikëve, dy më shumë se Bashkimi që pësoi humbjen e dytë në dy ndeshjet e fundit.

Plejmejkeri Mitchel Wilbekin me 25 pikë të shënuara ishte lider i Yllit derisa për ekipin suharekas me lojë të mirë u veçuan edhe Samir Zekiqi (23) e Elyjah Clark (14).

Te skuadra e Bashkimit, tre basketbollistë e përfunduan ndeshjen më pikë dyshifrore. Më efikasi ishte qendra Endrit Hysenagolli me “double-double” prej 24 pikëve e 15 kërcimeve, i përcjellë nga Sean Hoehn (16) e Musab Mala (15).