Sport

Ademi zgjedh Djurgardenin

Sulmuesi kosovar, Albion Ademi ka zgjedhur Djurgardenin për të vazhduar karrierën. Pas shkëlqimit në kampionatin finlandez te skuadra IFK Mariehman, Ademi është kërkuar nga skuadra të shumta evropiane. Por ka vendosur që hapin e ardhshëm ta bëjë në Suedi te Djurgardeni.

Ai ka firmosur për katër vjet me Djurgardenin. Djurgardeni ka përfunduar edicionin e fundit në pozitën e katërt. Ka tetë tituj në Allsvenskan, të fundit në vitin 2019. Ka edhe pesë Kupa të Suedisë.

“Po ndihem shumë mirë. E di që Djurgardeni është prej klubeve më të mëdha në Suedi dhe unë jam shumë i lumtur që ka përfunduar e gjitha. Kam shqyrtuar shumë skuadra, por Djurgardeni ka pasur plan konkret. Ka shumë gjëra tjera që më kanë orientuar drejt këtij ekipi. Ishte zgjedhja më e mirë për mua”, ka thënë Ademi.

Ademi kishte shënuar 14 gola në 26 paraqitje gjatë vitit 2020 në kampionatin finlandez. Kishte edhe tri asistime.