Sport

Maratona e Londrës pritet të mbledhë 100 mijë garues këtë vit

Maratona e Londrës këtë vit pritet të vendosë rekord të ri me 50 mijë vrapues në rrugët e qytetit, ndërsa 50 mijë të tjerë “kudo që janë në planet”, kanë thënë organizatorët të enjten.

Maratona virtuale e Londrës u mbajt për herë të parë vitin e kaluar, pasi gara fillimisht u anulua për shkak të pandemisë COVID-19.

Afër 38 mijë vrapues ishin pjesë e garës dhe vendosën rekord botëror në Librin e Guinnessit për maratonë 24-orëshe. Me vaksinimin që është duke ndodhur aktualisht, organizatorët gjithashtu shpresojnë t’i kenë 50 mijë vrapues në garën tradicionale më 3 tetor.

Maratona vituale i lejon pjesëmarrësit të vrapojnë 42.1 kilometra, por që mbetet si zgjedhje e tyre. Megjithatë, vrapuesit duhet ta përfundojnë të tërën më 3 tetor.

“Suksesi i rekordit botëror i ngjarjes virtuale në vitin 2020 dhe tregimet e jashtëzakonshme të pjesëmarrësve në tërë globin treguan se maratona solli dritë dhe shpresë në errësirën e pandemisë”, ka thënë drejtori i ngjarjes, Hugh Brasher. “Ne dëshirojmë ta ofrojmë një gjë të tillë sërish dhe i kemi përshpejtuar planet në të cilat jemi duke punuar për shumë vite për ta rritur numrin e garuesve në rrugët e Londrës në 50 mijë”.