Tenistët Granit Bajraliu e Vesa Gjinaj janë shpallur më të mirët për vitin 2020, ka njoftuar të enjten Federata e Tenisit të Kosovës (FTK).
Gjithashtu, FTK-ja ka shpallur më të mirët për vitin e shkuar edhe në kategoritë tjera. Lorina Dreshaj, Inara Ymeri e Rubina Mazreku janë shpallur më të mirat tek shpresat (top i kuq) derisa te djemtë e kësaj kategorie, më të dalluarit ishin Heron Ajeti e Morihej Duraku.
Në shpresat (topi i portokalltë) më të mirat u shpallën Morea Dreshaj e Ëmbla Xërxa te vajzat derisa Mal Karakashi e Shend Hoxha ishin te djemtë. Ndërkohë, në kategorinë (topi i gjelbërt) më të mirët u shpallën Learta Muharremi e Amela Xërxa dhe Unik Ramadani e Ervin Doli. Te kategoria U12 ishin Altea Hajrizi e Salidin Rama. Altea Hajrizi doli më e mira edhe në kategorinë U14 derisa të djemtë ishte Filip Paviq. Vesa Gjinaj u shpall më e mira edhe te kategoria U16 te vajzat derisa Fresk Sylhasi te djemtë.
Slobodan Petroviq doli më i miri në kategorinë e veteranëve. Blearta Ukëhaxhaj u shpall gjyqtarja më e mirë derisa Shkëlzen Domi punëtor i vitit. Epiteti i trajnerit të vitit i takoi Arian Ibrahimin kurse klubi i vitit u shpall KT Kalaja. FTK-ja, ka njoftuar se shkaku i pandemisë COVID-19, këtë vit është vendosur që mos të ketë ceremoni për shpalljen e më të mirëve të vitit.