RB Leipzigu ka shprehur interesim për transferimin e sulmuesit Divock Origi, i cili pritet të largohet nga skuadra e Liverpoolit gjatë këtij muaji.
“Bild” ka njoftuar të enjten se ekipi gjerman tashmë ka kontaktuar Liverpoolin dhe është i gatshëm që për kartonin e tij të paguajë rreth 20 milionë euro. Leipzigu është në kërkim të një sulmuesi në këtë afat kalimtar të janarit dhe po e sheh belgun 25-vjeçar si përforcim të duhur.
Origi këtë edicion ka pasur hapësirë të vogël te Liverpooli dhe është i gatshëm të largohet nga ekipi anglez me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024. Ai ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim në dhjetë ndeshje për Liverpoolin në të gjitha garat këtë sezon.