Sport

Peja fiton derbin ndaj Rahovecit

Skuadra e Pejës ka mposhtur liderin e Superligës së Kosovës në basketboll, Rahovecin. Ndeshja e xhiros së 16-të, e luajtur të mërkurën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ka përfunduar me rezultatin 90:85 në të mirë të ekipit vendas.

Për Pejën, kjo është fitorja e tretë rresht, ndërsa e dyta nën udhëheqjen e trajnerit Jordanço Davitkov.

Ndërkohë, Rahoveci pësoi humbjen e parë pas një serie prej katër fitoreve rresht. Me këtë fitore, Peja është ngritur në kuotën e 27 pikëve, derisa Rahoveci mbetet në krye të tabelës me 28 pikë të mbledhura.

Marko Peroviq me 25 pikë të shënuara ishte më efikasi te Peja, derisa me pikë dyshifrore në këtë triumf, kontribuuan edhe Brandon Walters (24) e Dardan Berisha (22).

Te Rahoveci më i dalluari ishte amerikani Marvin Jones me 35 pikë, i përcjellë nga Isaiah Traylor (25) e Alban Veseli (16).