Sport

Dajaku premton maksimumin për Union Berlinin, për t’u kthyer më i fortë te Bayerni

Leon Dajaku e vlerëson hap të duhur lëvizjen nga Bayern Muencheni tek Union Berlini. Mundësinë që do ta ketë në Union Berlin synon ta shfrytëzojë për t’u kthyer më i fortë te gjiganti gjerman, Bayern Muenchen.

Dajaku 19-vjeçar ditë më parë kompletoi huazimin nga Bayerni, por Union Berlini ka opsionin për ta blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit.

Dajaku ishte pjesë e Bayernit U-23 që nga viti 2019, kur edhe u transferua nga Stuttgarti. Ai megjithatë me ekipin e parë të Bayernit debutoi edicionin e kaluar. Këtë sezon në 14 ndeshje me Bayernin U-23 ka shënuar tre gola.

Me gola thotë se synon ta ndihmojë edhe Union Berlinin.

“Çdo sulmues ka synim ta ndihmojë ekipin të shënojë sa më shumë gola. Edhe unë këtë synim kam me Union Berlinin”, ka thënë Dajaku të martën për KOHËN.

Dajaku e ka nisur aventurën te klubi i Union Berlinit. Ai thotë se stërvitja i ka shkuar goxha mirë dhe se pret të debutojë shpejt te skuadra e re.

Union Berlini ka pasur rezultate të mira këtë edicion. Është në pjesën e epërme të Bundesligës. Synon ta sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.

“Stërvitjet e para më kanë shkuar shumë mirë, tash ta shohim në stërvitjet e ardhshme. Më kanë pritur shumë mirë, më kanë ofruar përkrahje të gjithë dhe unë do të mundohem t’ua kthej në të njëjtën mënyrë. Dua ta ndihmoj ekipin sa më shumë që është e mundur. Shpresoj në debutim të shpejtë”, ka thënë Dajaku.

Dajaku ende nuk ka pasur ndonjë takim të drejtpërdrejtë me trajnerin e Union Berlinit, Urs Fischer.

“Nuk kam pasur ndonjë rast të shënoj ndonjë gol në stërvitje, sepse nuk ka pasur aksione të tilla. Kanë qenë më shumë stërvitje taktike. Kemi stërvitur në formën se si do të luajmë. Me trajnerin ende nuk kam pasur takim, por e kam dëgjuar në konferencën për media që ka folur mirë për mua. Ta shohim se çka do të ndodhë”.

Dajaku ka luajtur për grupmoshat e reja të Gjermanisë, ndërsa tash është pjesë e U-20. Ai për U-19 ka shënuar tre gola në gjashtë ndeshje. Një gol në tri paraqitje ka shënuar për U-18, derisa në 14 ndeshje për U-17 të përfaqësueses gjermane ka shënuar tre gola.

“Jam i sigurt që lëvizja në Berlin është hapi i duhur për mua. Këtu mund ta kem mundësinë të luaj më shumë në Bundesligë dhe t’i tregoj vlerat e mia. Jam i lumtur që jam pjesë e Union Berlinit. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive deri në fund”, ka deklaruar Dajaku.

Në kuadër të xhiros së 17-të të kampionatit gjerman, Union Berlini luan në udhëtim ndaj Leipzigut.