Sport

Gjigantit nga Kongo i lajmërohet O’Neali, më në fund mësohet pesha e tij

Përfaqësuesja e Kongos në hendboll udhëtoi për në Botërorin në Egjipt pa gjasa të mëdha për ta kaluar grupin. Por, një lojtar i Kongos në dy xhirot e para të Botërorit është shndërruar në yll të madh.

Bëhet fjalë për pivotin masiv, Gauthier Mvumbi Thierry, që u bë shumë i ndjekur për shkak të peshës së tij. Ai në ndeshjen e parë ndaj Argjentinës realizoi katër gola në 11 minuta lojë. Nuk kishte asnjë huqje. Edhe ndaj Danimarkës, të dielën mbrëma, Mvumbi shënoi katër gola. Dhe sërish është shkruar shumë për të.

Ndonëse Kongo i humbi të dy ndeshjet, Mvumbi ka treguar se me gjithë peshën, di të luajë hendboll. Ishte prej më të mirëve në përfaqësuesen e tij, ndërsa i ka shkaktuar telashe në momente kampiones së botës, Danimarkës.

Është diskutuar shumë për peshën e vërtetë të pivotit. Në faqen e klubit francez të kategorisë së katërt, Dreux, ka shkruar se ai është 26-vjeçar, i gjatë 192 centimetra dhe me peshë prej 110 kilogramë. Thierry ka luajtur për këtë skuadër deri në fund të edicionit të kaluar.

Në sajtin zyrtar të Botërorit ka shkruar se kongolezi është i gjatë 176 centimetra dhe peshon 89 kilogramë.

Por, sajti francez “handnews.fr” ka shkruar se Mvumbi Thierry është i gjatë 195 centimetra dhe peshon plot 137 kilogramë. Për peshën që e ka, ai është shfaqur goxha i lëvizshëm dhe i rrezikshëm në sulm.

“Unë jam pivot që pushtoj hapësirën”, ka thënë Mvumbi për “handnews.fr”.

“Asnjëherë nuk kam menduar se do të garoj në Botëror. Ne duhet të japim çdo gjë nga vetja pasi mund të ndodhë vetëm një herë në jetën tonë. Ne duhet të shijojmë këtë përvojë”, ka shtuar ai.

Famës së tij i ka shërbyer raportimi në media të ndryshme në SHBA.

Pas ndeshjes ndaj Argjentinës, Gauthier Mvumbin e kanë befasuar mesazhe të shumta në telefon. Më së shumti e ka befasuar dhe njëkohësisht e ka motivuar një video-mesazh që mori nga SHBA-ja. Atë ia dërgoi ish-ylli i NBA-së, gjiganti Shaquille O’Neal.

“Po thonë se je Shaq i hendbollit, çka po ndodh?”, ka pyetur ylli amerikan.

“Jam befasuar që është diskutuar për mua edhe në SHBA”, thotë Mvumbi. “Është vend i basketbollit, jo i hendbollit. Po, jam i befasuar”.

Fama mund t’i shërbejë hendbollistët për të bërë hapa para në nivel klubesh.

“A do të bëhem atraktiv për klube profesionale? Nuk e di. Unë jetoj nga dita në ditë. E ardhmja do të tregojë”.

Me praninë e tij në Botëror, Mvumbi ka siguruar moment fame edhe për hendbollin afrikan dhe atë të Kongos në veçanti.
Kongo e luan edhe një ndeshje në Botëror dhe fotografi të tjera të Mvumbit do të bëhen të njohura.

Ai u shkaktoi shumë telashe danezëve. Madje, një goditje e tij në drejtim të portës arriti shpejtësi prej 110 kilometrash në orë.

“Niveli i danezëve është impresiv. Nuk janë rastësisht kampion bote. Nuk mund ta përshkruaj se sa krenar jam që kam përjetuar këtë ndjenjë të paraqitjes në Botëror”, ka theksuar Mvumbi.