Sport

Kastratit pritet t’i dalin telashe për festën e ditëlindjes

Lirim Kastrati ka pranuar ditë më parë se po punon për të përmirësuar teknikën e lojës. Por për avancim tutje në karrierë, reprezentuesit të Kosovës do t’i duhej të jetë më i kujdesshëm edhe me sjelljet jashtë fushës.

Skuadra e madhe kroate, Dinamo Zagreb, ku luan Kastrati, të shtunën pasdite ka lëshuar një komunikatë lidhur me futbollistin kosovar. Nuk ndodh shpesh që Dinamo të lëshojë komunikata për një lojtar të caktuar. Por shkrimet e shumta të mediave kroate gjatë të shtunës kanë shtyrë Dinamon të reagojë.

Kastrati të shtunën ka mbushur 22 vjet, ndërsa të premten mbrëma ka festuar ditëlindjen. Fotografi nga festa e ditëlindjes kanë dalë në rrjete sociale dhe mediat kroate i kanë kushtuar shumë hapësirë festës. Ato kanë shkruar se janë thyer rregullat anti-COVID dhe se Kastrati ka festuar pak ditë para një ndeshjeje të rëndësishme.

Dinamo ka mbrojtur veten, ndërsa ka paralajmëruar vendim për Kastratin, që është në edicionin e parë te gjiganti kroat.

“Bazuar në shkrimet e mediave dhe me kërkesë të shumë gazetarëve për festën në shtëpi të lojtarit të GNK Dinamos, Lirim Kastrati, lëshojmë këtë njoftim: Lirim Kastrati e ka sot ditëlindjen dhe mbrëmë në shtëpinë që e shfrytëzon, me të dashurën e tij dhe dhjetëra shokë, ka pasur festë që ka përfunduar pak pas mesnatës. Ndonëse vlerëson se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe se festimi i ditëlindjes nuk do të ndikojë në përgatitjet e tij për stërvitje dhe për lojë, Kastrati shpreh keqardhje nëse publikimet në rrjetet sociale dhe tekstet për to të publikuara në media, i kanë shkaktuar shqetësime klubit. GNK Dinamo do të analizojë situatën konkrete dhe faktet e më pas do të marrë vendime adekuate, sipas rregulloreve interne”, thuhet në komunikatën e Dinamos.

Sipas mediave kroate, në festë ishin miq të Kastratit, ndërsa i angazhuar ishte një DJ.

“Lirim Kastrati i Dinamos ka festuar me bujë ditëlindjen e 22-të. Në festën në shtëpi në mesin e shumë miqve dhe një mori bukurosheve, për argëtim është kujdesur një DJ, ndërsa është festuar në atmosferë relaksuese me vallëzim dhe shampanjë, përkundër masave epidemiologjike që janë ende në fuqi dhe që ndalojnë grumbullimin e shumë personave në shtëpi. Problemi për Kastratin është edhe më i madh pasi pas tri ditësh Dinamo luan derbin ndaj Rijekës”, ka shkruar “index.hr”, mediumi i fuqishëm kroat.

Image

Për një shkelje të vogël, Kastrati ishte lënë jashtë ekipit për ndeshje pikërisht ndaj Rijekës, në dhjetor. Nuk ishte bërë e ditur se për çfarë shkeljeje bëhet fjalë.

Fotografi dhe video nga festa e Kastratit i ka publikuar modelistja Angjela Shimac, e dashura e tij. Sipas “index.hr”, në festën e Kastratit ishin rreth 15 mysafirë. Në Kroaci ndalohet grumbullimi i më shumë se dhjetë personave.

Mediat kroate kanë shkuar tutje duke publikuar të dielën një listë të lojtarëve të njohur që kanë thyer masat anti-COVID. Pretekst është marrë rasti i Kastratit.

Kastrati ditë më parë ka deklaruar se është duke bërë stërvitje shtesë për të përmirësuar teknikën. Ai është falënderues për rastin që ka te Dinamo, ndërsa ka thënë se fokusi i tij është te Dinamo dhe se te Kosova do të fokusohet kur të vijë koha për grumbullim me përfaqësuese. Ai vlerësohet lart për talentin dhe shpejtësinë që ka.