Sport

Përpjekjet e Muslijajt për të shfaqur potencialin e madh që ka

Ka talent të madh dhe është një kampion bote në stërvitje. Bëhet fjalë për Florent Muslijajn. Te skuadra e Hannoverit, megjithatë, ai rrallë shpreh cilësitë e tij në fushë në ndeshje. Tani mesfushori po punon me turne shtesë dhe ka ndryshuar dietën e tij muaj më parë. Nëse e pyesni dikë te skuadra e Hannoverit për lojtarin më të talentuar të ekipit, atëherë gjithmonë merrni të njëjtën përgjigje: Florent Muslija.

Sidoqoftë, 22-vjeçari nuk e ka bërë ende hapin për t'u bërë një lojtar i rregullt apo edhe një lojtar që e bën ndryshimin te Hannoveri. Karriera e tij është me ngritje e ulje dhe tani këtë problem futbollisti i talentuar po bën përpjekje për ta tejkaluar. Deri më tani serioziteti i futbollistit duket shumë premtues.

Ndryshimet në jetën private të futbollistit

Muslija tashmë ka marrë një vendim të prerë. Ai po dëshiron me çdo kusht të heqë dorë nga mënyra e dikurshme e jetës për t’iu përkushtuar martesës, stërvitjeve shtesë dhe angazhimit. Në fillim të dhjetorit kishte një lajm të mirë për futbollistin në një pako të dyfishtë: 22-vjeçari dhe e dashuria e tij i kishin thënë “Po” njëri-tjetrit dhe njoftuan në “Instagram” se po prisnin një pasardhës. Muslija, për të cilin thuhet se i mungonte një qasje profesionale si një futbollisti i ri, tani po rritet. Gjërat tashmë po përshtaten shumë mirë tek ai. Muaj më parë, ai rregulloi dietën e tij që do ta ndihmoj të forcohet si një profesionist i ri dhe Muslija tani po duket i lumtur me rolin e tij të ri.

I fortë në stërvitje, i dobët në ndeshje

Muslija që njihet për këmbën e tij magjike, tani ka edhe më shumë energji. Ai konsiderohet gjithsesi një kampion bote në stërvitje, por shumë rrallë e shfaqi talentin e tij në ndeshjet garuese.

"Me të kishim problemin që nuk mund ta transferonim paraqitjen e tij në stërvitje edhe në ndeshje në një mënyrë të vazhdueshme”, konfirmon trajneri Kenan Koçak.

Stërvitjet shtesë që Muslija po i bën tani, janë krejtësisht të reja për të. Të hënën, kur bashkëlojtarët e tij ishin të lirë, Muslija doli vullnetarisht për vrapim. Të martën ai gjithashtu punoi një stërvitje të veçantë për saktësi në goditjet e lira. Përpjekja e re dhe e madhe nga Muslija për tu përmirësuar nuk fshehët as nga trajneri Koçak, e po ashtu edhe nga Muslija.

“Unë jam shumë i kënaqur me Muslijajn e ri. Ai është shumë punëtor dhe po punon për veten e tij. Ai është lojtar i ri dhe ende duhet të zhvillohet. Ky projekt gjithashtu është i rëndësishëm edhe për të personalisht”, vlerëson trajneri Koçak.

Në fakt, trajneri thotë se Muslija është në rrugën e duhur dhe nëse vazhdon me këtë ritëm të stërvitjeve shtesë, do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën e Hannoverit.

“Jam njëqind për qind i sigurt se ai do të jetë akoma shumë, shumë i rëndësishëm për ne këtë sezon”, u shpreh Koçak.

Muslija këtë edicion ka vetëm 199 minuta lojë dhe qëndroi në stol në shtatë ndeshje. Ka dhjetë paraqitje në të gjitha garat deri më tani dhe ka shënuar një gol.

"Do të vazhdojë në rrugën e tij"

Në ndeshjen e fundit të Hannoverit, të cilën e fitoi 2:1 në udhëtim kundër Darmstadtit (Bundesliga 2), trajneri Koçak e futi Muslijan në lojë në minutën e 82-të në vend të Marvin Duckschit. Dhe Muslija tashmë dëshmoi efektin e stërvitjeve shtesë që tashmë i ka marrë me seriozitetin më të madh. Me veprimin e parë me topin, ai e futi Hendrik Weydandtin në një shans të madh, dhe pati 86 për qind të pasimeve të tij te lojtarët e tjerë, si dhe vrapoi pothuajse dy kilometra në dhjetë minutat e fundit. Tani Muslija thjesht duhet të sjellë fuqinë e tij mbi një bazë të qëndrueshme. Kjo është pjesa vendimtare e zhvillimit që ai po synon ta bëjë. Këtë e di shumë mirë edhe trajneri Koçak.

“Ai tashmë ka luajtur lojëra shumë të mira këtu, këtë nuk duhet ta harrojmë assesi. Ne vetëm kemi nevojë për vazhdimësi dhe qëndrueshmëri të tij. Ne jemi duke punuar për atë me të. Është një proces për të dhe ai duhet të rritet më parë në të. Por jam i sigurt që djaloshi do të shkojë sipas mënyrës së tij”.

Në çdo rast, Koçak pranon se shenjat e përparimit të futbollistit të talentuar tashmë po dalin në pah. \ SportBuzzer