Sport

Muharrem Sahiti kalon në postin e drejtorit, i lë vend Bichardit në shtabin teknik të Kosovës

Trajneri francez Sebastien Bichard do të jetë ndihmësi i parë i përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Bernard Challandes, për ciklin kualifikues të kampionatit botëror “Katari 2022” që nis në muajin mars.

Bichard në këtë post do ta zëvendësojë Muharrem Sahitin, i cili do të zhvendoset në postin e drejtorit të Përfaqësueses A të Kosovës. Kështu kanë bërë të ditur burime të KOHËS brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

Madje KOHA ka mësuar se marrëveshja mes palëve është arritur dhe brenda një periudhe do të zyrtarizohen këto lëvizje edhe nga FFK-ja.

“Për ciklin eliminator të Botërorit që do të nisë pas disa javësh, do të bëhen disa lëvizje te Kosova. Muharrem Sahiti, i cili deri më tash ka qenë ndihmësi i pari i Challandesit, do të marrë rolin e drejtorit derisa në vend të tij do të angazhohet francezi Sebastien Bichard. Këto lëvizje pritet së shpejti të zyrtarizohen edhe nga Federata”, ka thënë burimi i KOHËS.

Në fakt, Bichard nuk është i panjohur për FFK-në dhe stafin e Përfaqësueses së Kosovës. Bichard ishte pjesë e Kosovës në nëntor të vitit të shkuar kur “Dardanët” i zhvilluan tri ndeshje, miqësoren me Shqipërinë dhe duelet me Slloveninë e Moldavinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në ato ndeshje, përzgjedhësi Challandes i mungoi Kosovës për shkak të infektimit me koronavirus derisa Bichard ishte në bankinë së bashku me pjesën tjetër të ekipit. Kosovën në ato ndeshje, ku regjistroi dy humbje dhe një fitore, e ka udhëhequr Muharrem Sahiti. Ka qenë trajneri Challandes ai që e kishte angazhuar Bichardin për tri ndeshjet e fundit të Kosovës.

Para Kosovës, Bichard ka punuar si ndihmëstrajner edhe te Përfaqësuesja U21 e Zvicrës dhe ekipi i Sionit. Madje për mediumet zvicerane Bichard kishte thënë se shpreson që në të ardhmen të jetë pjesë e “Dardanëve” pasi puna e tij është pëlqyer nga të gjithë, veçanërisht nga përzgjedhësi Challandes.

“Nëse do të jem vetëm 3 javë apo më tepër mbetet të shihet. Unë jam këtu për të punuar e jo ta shes veten në media. E ardhmja do të tregojë nëse do të përputhemi në punë apo jo”, kishte deklaruar Bichard për “Le Matin”.

“Bernardi më ka dhënë një mundësi të artë. Kam takuar njerëz të mëdhenj”.

Në FFK kanë pranuar se do të ketë lëvizje te Përfaqësuesja e Kosovës por ende nuk ka asgjë zyrtare për shkak se janë në fazën e negociata. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka konfirmuar se janë në negociata me francezin Bichard, por ka shtuar se është ende herët të konkludohet se ai do të jetë pjesë e stafit të Challandesit.

“Jemi në bisedime me Bichardin, por nuk mund të them asgjë më shumë për shkak se nuk ka asgjë konkrete. Pra, thjesht jemi në fillim të negociatave”, është shprehur Ademi. “Megjithatë, pritet të bëhen disa lëvizje për të ardhmen dhe mbetet të shihet se cilat do të jenë ato”.

Muharrem Sahiti ka kohë të gjatë që është pjesë e shtabit teknik të Kosovës. Ai ishte ndihmës i Albert Bunjakit e po ashtu i Challandesit. Kishte drejtuar Kosovën ndaj Letonisë pas largimit të Bunjakit. Më herët ishte edhe selektor dhe pas një kohe shumë të gjatë nuk do të jetë në shtabin teknik. Por do të jetë te Kosova.

Në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm, Kosova bën pjesë në Grupin B së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Ndeshjen e parë Kosova në kuadër të këtyre kualifikimeve e luan në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Suedisë më datën 28 mars, kurse tri ditë më vonë “Dardanët” do të jenë mysafirë të Spanjës.