Trajneri i Paris Saint-Germainit, Mauricio Pochettino, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Ish-trajneri i Tottenhamit e mori drejtimin e gjigantit francez më 2 janar dhe e drejtoi ekipin drejt “Trofeut të Kampionëve”, që është ekuivalent me Superkupën.
Të mërkurën, PSG-ja mposhti Marseillen, 2:1. Por, 48-vjeçari tani do të duhet të hyjë në izolim dhe pritet të mungojë në dy ndeshjet e radhës së ekipit të tij në elitën e futbollit francez, kundër Angersit dhe Montpellierit.
“Trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, është pozitiv në testin PCR për Sars-Cov2. Ai do t’i respektojë rregullat dhe do të izolohet, ashtu siç kërkohet nga protokolli shëndetësor. Asistentët e tij, Jesus Perez dhe Miguel D’Agostino, do ta udhëheqin ekipin kundër Angersit të shtunën”, thuhet në komunikatën e PSG-së.