Liga NBA e ka gjobitur basketbollistin Kyrie Irving me 50 mijë dollarë të premten për shkak të thyerjes së protokollit të sigurisë dhe shëndetësisë. NBA-ja po ashtu ka njoftuar se ai mund t’u kthehet aktiviteteve me Brooklyn Netsin të shtunën.
Liga po ashtu shtoi se ai do të gjobitet për secilën ndeshje që mungoi gjatë pesë ditëve të periudhës së karantinës që mund të përfundojë të shtunën, nëse ai del negativ në testin për koronavirus.
Irving mungoi në pesë ndeshjet e fundit për Netsin për arsye personale.
Ai është parë në një video në rrjetet sociale në kohën kur mungoi, kur ishte pjesëmarrës në një festë familjare në ambient të mbyllur, dhe nuk mbante maskë.
Protokolli i ligës e ndalon pjesëmarrjen në ambiente të mbyllura ku janë 15 apo më shumë personave në bare, klube apo ambiente të ngjashme.
Irving është basketbollisti i dytë që dënohet për këtë gjë. Tjetri basketbollist është bashkëlojtari i tij, James Harden.
Në muajin dhjetor, Irving u dënua me 25 mijë dollarë nga liga NBA, pasi ai nuk foli për media gjatë përgatitjeve parasezonale.