Sport

Klubet e Premier Leagues paralajmërohen për protokollet e COVID-19

Foto: AP
 

Klubet e Premier Leagues duhet të jenë shembull për të gjithë në respektimin e protokolleve të koronavirusit, në të kundërtën rrezikojnë të sanksionohen. Kështu ka paralajmëruar të mërkurën shefi ekzekutiv i ligës (EPL), përcjellin mediumet angleze të mërkurën. EPL-ja dërgoi direktiva të reja javën e kaluar nëpër klubet elitare të Anglisë, në të cilat përfshiheshin kërkesat që futbollistët të shmangin përqafimet pas festimit të golave, të shmangin shtrëngimet e duarve dhe shkëmbimin e fanellave gjithashtu. Shefi ekzekutiv i EPL-së, Richard Masters, e konfirmoi këtë kërkesë me një letër që personalisht ua dërgoi të gjitha 20 klubeve të Premier Leagues.

“Ne jemi me fat që jemi në gjendje të vazhdojmë të luajmë dhe t'ua servojmë kampionatin tonë tifozëve në shtëpi dhe nëpër botë. Kjo sjell një vëzhgim shtesë të justifikuar dhe Premier League duhet të jetë shembull i duhur për t’u ndjekur nga të gjithë sa i përket respektimit të protokolleve për COVID-19”, ka shkruar ndër të tjera në letrën e Mastersit të dërguar të martën vonë.