Sport

Kualifikimi në Ligën e Konferencës, synim i Gjilanit

Te skuadra e Gjilanit pranojnë se do ta kenë të vështirë garën për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës në futboll. Gjilanasit janë 12 pikë prapa lideres dhe kampiones në fuqi, Dritës. Por, te Gjilani janë optimistë se do ta sigurojnë sërish daljen në Evropë. Paraqitjen në Evropë, saktësisht në kualifikimet e Ligës së Konferencës, thonë se do ta kërkojnë nëpërmjet triumfit në Kupë. Kupën e synojnë edhe skuadra të tjera, Llapi e Arbëria në mesin e tyre.

Për t'i realizuar synimet e pranverës, Gjilani ka nisur fuqishëm përgatitjet.

Trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli, beson se në ekipin e tij ka futbollistë me potencial.

“Do të fokusohemi ndeshje pas ndeshjeje. Pra, fokusi ynë është ndeshja e radhës, aty do ta japim maksimumin dhe do të shohim si do të duket kampionati. Nuk mund t’i parashikojmë synimet se a do të bëhemi apo jo, ne do të punojmë për ta nxjerrë maksimumin, që të kemi rezultate të mira. Të gjithë në klub janë të angazhuar dhe na kanë ofruar kushte të mira dhe këto ne duhet t’i shfrytëzojmë, prandaj nuk mund të parashikoj ndonjë rezultat se ku do të jetë Gjilani dhe në cilën pozitë në tabelë. Me siguri se do të mundohemi ta shfrytëzojmë rastin e Kupës, e po ashtu edhe në kampionat. Unë e di se duhet bërë punë cilësore dhe duhet kërkuar rezultat me shumë disiplinë, angazhim dhe djersë. Unë jam optimist se rezultatet nuk do të mungojnë”, ka thënë Sokoli.

Gjilani të enjten ka stërvitur në fushën me bar sintetik, ndërsa pas disa ditësh do të niset drejt Shqipërisë për ta zhvilluar fazën kryesore të përgatitjeve për pjesën pranverore të edicionit 2020/2021.

“Ky është potenciali që e kam gjetur, është mjaft cilësor dhe besoj se do ta japim maksimumin dhe nëse të gjithë japin maksimumin besoj se rezultatet nuk do të mungojnë. Do të mundohemi këtë potencial ta shfrytëzojmë maksimalisht”, është shprehur Sokoli.

Sokoli ka theksuar se nuk pritet të ketë ndryshime në skuadër. Ai u beson futbollistëve që ka aktualisht. Sokoli vetëm në fund të stinorit vjeshtor e mori drejtimin e skuadrës, duke e zëvendësuar Gentjan Mezanin.

Optimizmi i futbollistëve

Edhe futbollistët janë optimistë se kanë forcë për ta fituar Kupën dhe të përfundojnë në pjesën e epërme të tabelës.

Kapiteni Ylber Kastrati ka theksuar se Gjilani është skuadër e kompletuar.

“Ky grup i lojtarëve besoj se ka forcë, teknikë, taktikë dhe përgatitje psikologjike. Ka edhe përvojën dhe gjithçka. Besoj se jemi të kompletuar dhe për pjesën tjetër është kryesia që merret, mirëpo ky grup ka lojtar të talentuar, teknikë dhe mund të kryejë punë të madhe. Në bazë të kualitetit mendoj që kemi merituar më shumë, por besoj tash do t’i qasemi edhe më fort”, ka thënë Kastrati.

Ndërkohë, mesfushori Besar Musolli shtoi se Gjilani nuk është dorëzuar, si për titull, ashtu edhe në garën e Kupës.

“Përderisa kemi ende gjasa për të luftuar edhe për titull, edhe për kupë, do ta japim maksimumin për objektivat e klubit. Grupi i lojtarëve është cilësor, sepse ka lojtarë me përvojë të madhe. Këto ndeshjet e fundit nuk kanë shkuar mirë, por me fitoren e fundit është rritur motivi në ekip dhe besoj se do të jemi në pjesën e epërme të tabelës”, ka thënë Musolli.

Gjilani vjet debutoi në Ligën e Evropës dhe u eliminua në raundin e parë kualifikues.

Kampioni i këtij edicioni garon në kualifikimet e Championsit, kurse nënkampioni dhe fituesi i Kupës luajnë në Ligën e Konferencës, që është tashmë niveli i tretë.

Drita për sukses tjetër në Evropë

Ndërkohë, daljen në Evropë e synon edhe Drita.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e ka vlerësuar mision të vështirë mbrojtjen e titullit të kampionit të Kosovës në futboll. Por, trajneri shkupjan ka besim te futbollistët e tij. Është i bindur se kanë forcë për t’i bërë ballë çdo skuadre në rrugëtimin drejt suksesit të radhës. Nuhiu ka konfirmuar se synim i Dritës është mbrojtja e titullit të kampionit.

Drita stinorin vjeshtor të Superligës e mbylli në vendin e parë, kurse përgatitjet për stinorin pranveror i ka nisur ditë më parë.

“Nuk diskutohet se besojmë, por nuk do të jetë e lehtë. Shohim një kampionat të fortë, që po rritet sidomos me ndryshimin e sistemit të garës ku janë dhjetë ekipe. Shohim 4-5 skuadra që synojnë kreun. Nuk po i përjashtoj edhe ekipet që janë në garë për mbijetesë”, ka thënë Nuhiu.

Drita të enjten zhvilloi stërvitjen e radhës, ndërsa planifikohet që fazën finale të përgatitjeve ta zhvillojë në Antalya.

Nuhiu ka theksuar se në Turqi, Drita planifikon t’i zhvillojë katër ndeshje miqësore.

“Deri më datën 19 do të punojmë në Gjilan, pastaj më 20 janar udhëtojmë drejt Antalyas ku do të qëndrojmë për 15 ditë. Atje kemi kërkuar t’i luajmë katër ndeshje kontrolluese, ende nuk e dimë se cilët do të jenë kundërshtarët, por me rëndësi do të jetë që do të jemi të kompletuar”, ka deklaruar trajneri nga Shkupi.

Ai ka thënë se Drita nuk ka nevojë për ndonjë përforcim të madh gjatë këtij afati kalimtar. Nuhiu i beson ekipit fitues.

“Afati i janarit është i vështirë, nuk e kemi me doemos që të përforcohemi, por mund të ketë ndonjë ndërhyrje, eventualisht një. Jam i kënaqur me grupin dhe atë që kanë treguar lojtarët dhe pres që ta kenë formën që do të jetë edhe arma më e fortë për ne”, ka thënë Nuhiu.

Drita është skuadra më e suksesshme kosovare në garat evropiane. Ka arritur deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Në raundin e tretë u eliminua nga skuadra e njohur polake, Legia.

Futbollistët e Dritës shpresojnë të dalin sërish kampion e më pas suksesin e Ligës së Evropës ta arrijnë në Ligën e Kampionëve.

“Skuadra i ka të gjitha për të luftuar për trofe. Shpresoj të shkojë gjithçka në rregull, pasi së fundi kemi pasur probleme me lëndime. Por, nëse jemi të kompletuar nuk dyshoj në suksese”, ka thënë kapiteni i Dritës, Ardian Limani.

Se nuk dyshon në sukses e thotë edhe mesfushori Hamdi Namani.

“Kapacitetin e kemi treguar sezonin e kaluar, ku kemi dalë kampion. Jemi të njëjtit lojtarë dhe me dy apo tre përforcime besoj se mund t’i përsërisim sukseset e sezonit të kaluar”, është shprehur Namani.

Drita pret që shpejt t’i kthehen nga lëndimet portieri i parë Faton Maloku dhe mbrojtësi Ardian Cuculi, ndërsa nuk ka planifikuar të largojë ndonjë futbollist.