Sport

Llapi nuk e diskuton mbetjen në Superligë, daljen në Evropë e synon përmes Kupës

Descriptive Text

Llapi i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror që nga dita e hënë. Llapjanët i kanë synimet e qarta: mbetjen në Superligë as që po e diskutojnë, kurse kërkojnë triumfin në Kupën e Kosovës, që do t’ua mundësojë daljen në Evropë, për herë të parë në histori të klubit. Mirëpo, ekipi nga Podujeva mund të mbetet pa njërin prej lojtarëve kryesorë, Kastriot Selmanin. Për sulmuesin e krahut ka shprehur interesim klubi i Bundesligës së Austrisë, Tiroli. Lajmin e kanë konfirmuar për KOHËN trajneri i Llapit Tahir Batatina dhe futbollisti Kastriot Selmani, të martën. Batatina ka thënë se për të dhe Selmanin do të ishte shumë e rëndësishme që të realizohej ky transferim.

“Oferta më konkrete që ka ardhur për Kastriot Selmanin është nga klubi i Tirolit, që bën gara në Superligën e Austrisë. Nëse Kastrioti do të shkojë direkt në Superligë të Austrisë, mendoj që është një e arritur e madhe për të dhe kjo është falë punës së madhe të lojtarit dhe punës së madhe që e kemi bërë bashkërisht. Kam pasur besim te ky djalë. Besoj që në këto dy ditë ata do ta bëjnë ofertën zyrtare për Kastriotin”, u shpreh Batatina.

21-vjeçari Selmani është shprehur se ende nuk ka asgjë zyrtare, por e ka pranuar se pret që në këtë muaj, ose më së largu në verë, ta bëjë hapin e madh në karrierë.

një ofertë dhe aktualisht jemi duke biseduar. Ende nuk ka asgjë zyrtare. Do ta shikojmë ofertën dhe do të shohim se a do të lëvizi në janar, apo verës së ardhshme. Unë jam i gatshëm dhe është një ndjesi e mirë që të shkoj dhe të luaj për një ekip evropian”, tha Selmani.

Pavarësisht kësaj, trajneri Batatina ka thënë se te Llapi gjithçka po shkon sipas planit.

Ai ka konfirmuar se faza e parë përgatitore do të kryhet në Podujevë, kurse ajo e fundit jashtë kufijve, në Antalia të Turqisë.

“Me 17 janar do të udhëtojmë drejt Antalias së Turqisë. Të enjten veçse do të konfirmohet çështja e biletave. Në Antalia do të qëndrojmë dhjetë ditë dhe që nga dita e nesërme do të aranzhojmë edhe ndeshje miqësore. Do të shkojmë dhe të përgatitemi maksimalisht. Atje janë kushtet më të mira për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë”, tha Batatina

Tekniku i Llapit ka folur edhe për largimet dhe ardhjet e reja në skuadër gjatë afatit kalimtar të janarit. Batatina tregon se synimi i Llapit do të jetë Kupa e Kosovës.

“E kemi sjellë në skuadër një portier cilësor nga Kroacia. Po ashtu, kemi sjellë në ekip edhe disa lojtarë të rinj që janë në moshë të re, por që kanë perspektivë. Krahas lojtarëve me përvojë, në skuadër dua të sjell lojtarë që mendoj se janë të nevojshëm për të ardhmen”, tha Batatina. “Nuk kemi çka e mbajmë të fshehur, Llapi e ka fokusin te Kupa e Kosovës, ku do të japim 500 për qind nga vetja për të triumfuar në këtë garë. Përqendrimi do të jetë maksimal. Por, edhe në kampionat synojmë që në fillim të arkëtojmë pikë sa më shumë për të qenë të qetë në vazhdim. Mund të ketë edhe befasi në stinorin pranveror”, deklaroi Batatina.

Optimistë se në pranverë do të vijnë rezultatet pozitive janë shprehur futbollistët Arbnor e Alban Ramadani, si dhe Ardit Peposhi. Sipas tyre, Llapi synon Evropën përmes Kupës. Arbnor Ramadani ka qenë ndër më të mirët te Llapi në stinorin vjeshtor dhe ndër më të dalluarit në ligë. Ai thotë se mbetja e Llapit në Superligë as që do të diskohet.

“Sa i përket formës individuale, ka qenë një sezon mjaft i mirë dhe besoj që të vazhdojë kështu edhe në pranverë. Sa i përket fazës përgatitore, kemi filluar qe tri ditë dhe deri më tani është duke shkuar shumë mirë. Shpresoj që t’i arrijmë synimet e klubit. Mbijetesa te Llapi as nuk vjen në shprehje, as që diskutohet, kurse sa i përket Kupës, atë trofe e synojmë”, tha ai.

Futbollisti i ardhur te Llapi nga Zvicra, Alban Ramadani, e pranon se synimi këtë vit do të jetë stabilizimi në ligë dhe fitimi i Kupës.

“Në stinorin vjeshtor nuk kemi arritur rezultate të mira ashtu siç është pritur. Tani na mbetet të punojmë shumë dhe të përgatitemi për stinorin pranveror. Synimi kryesor është Kupa, por edhe në kampionat të jemi sa më lart në tabelë, pse jo edhe në mesin e katër ekipeve më të mira”, shtoi Alban Ramadani.

Dëshirën për të fituar trofeun e Kupës së Kosovës këtë edicion nuk e fsheh as mbrojtësi nga Shqipëria, Ardit Peposhi.

“Objektivi ynë është shumë i qartë, që ta fitojmë Kupën. Pa diskutim që edhe kampionati nuk mbetet mbrapa, pasi siç e dinë të gjithë jemi në një zonë të rrezikshme dhe duhet të marrim pikë në ndeshjet e fillimit të stinorit pranveror, në mënyrë që të shkëputemi dhe ta lëmë atë zonën e ftohtë dhe të fokusohemi në Kupë”, tha Peposhi.

Deri më tani, në afatin kalimtar të janarit, Llapi është përforcuar me portierin kroat të gjatë 204 centimetra, Marijan Çoriq, si dhe me disa futbollistë të rinj. Ndërkaq, i ka liruar dy portierët Arlis Shalën e Steven Hoffmanin, si dhe futbollistin Bekim Maliqi.

Llapi e ka mbyllur stinorin vjeshtor në pozitën e tetë me 20 pikë, pozitë që në fund të kampionatit dërgon në barazh.