Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka thënë se ekipi i tij do ta ketë shumë të vështirë ta fitojë titullin në La Liga pasi e përfundoi vitin e vështirë 2020, me barazim 1:1 në shtëpi kundër Eibarit të martën mbrëma.
Ky rezultat e lë Barcelonën në vendin e gjashtë me 25 pikë pas 15 ndeshjeve.
“Nëse jemi realist, triumfi në kampionat është shumë i vështirë për ne”, u ka thënë gazetarëve tekniku holandez.
“Asgjë nuk është e pamundur por duhet ta pranojmë se diferenca është shumë e madhe me Atletico Madridin, që është në formë dhe po fiton ndeshje. Do të jetë shumë e vështirë për ne”, përfundoi ai.
Barcelona i ka fituar tetë tituj në 12 sezonet e fundit. Një tjetër dështim për Koemanin, do të bënte që Barcelona ta humbë këtë mundësi për herën e dytë rresht, gjë që i kishte ndodhur në edicionin 2007/08.
Lionel Messi mungoi të martën për shkak të lëndimit, megjithatë, Barcelona pati shumë mundësi shënimi. Martin Braithwaite humbi penallti, ndërsa Ousmane Dembele iu afrua mjaftë shumë shënimit të golit.
Barcelona i ka pranuar 15 gola në këtë edicion në po aq ndeshje të zhvilluara në La Liga.