Sport

Në fundjavë mbyllet stinori i rezultateve të pazakonta

Në fundjavë luhen ndeshjet e xhiros së fundit të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në basketboll. Vetëm në ndeshjet e fundit përcaktohet kampioni vjeshtor.

Stinori vjeshtor nisi me vonesë dhe rrjedhimisht orari ishte i ngjeshur. Si zakonisht, në skuadra ka pasur ndryshime të konsiderueshme në fondin e lojtarëve të huaj, por edhe në pozitat e trajnerit.

Por ky stinor ishte i veçantë edhe sa u takon rezultateve të arritura. Thuajse nuk ka pasur skuadra favorite dhe janë arritur shumë rezultate të papritura. Cilësia e skuadrave vlerësohet e përafërt, ndërsa disa prej tyre vazhdojnë të përballen me telashe të zakonshme, duke përfshirë ato financiare.

Dhe një stinori me shumë zhvillime të papritura, i vjen fundi me ndeshjet që luhen të shtunën e të dielën.

Të shtunën janë ndeshjet Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina dhe Trepça – Vëllaznimi, që nisin prej orës 15:00. Ndërsa, xhiroja do të mbyllet me dy ndeshjet e tjera, që luhen të dielën, ku do të takohen Bashkimi e Peja (14:30) dhe Ponte Prizreni e Rahoveci (17:00). Ndeshjet e së dielës do të zhvillohen në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Dueli më interesant do të jetë ai ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Rahovecit, i cili edhe mund të vendosë për kampionin e pjesës vjeshtore. Rahoveci është lider në tabelë me 18 pikë të mbledhura, një më shumë se Ponte Prizreni që është i treti. Ndërkohë, në pozitën e dytë është Peja që po ashtu ka 17 pikë dhe që të premten shkarkoi trajnerin Edi Xhelalija pas humbjes që e pësoi ditë më parë nga Ponte Prizreni. Për Pejën, kjo ishte humbja e tretë këtë edicion karshi shtatë fitoreve në dhjetë xhirot e para.

Te Ponte Prizreni janë të motivuar që ta mposhtin edhe Rahovecin pasi janë në një seri prej pesë fitoreve rresht. Mirëpo, nuk do të jetë lehtë për shkak se skuadra e Rahovecit nuk di për humbje prej xhiros së katërt, kur pësoi pikërisht nga Ponte Prizreni. Nëse Ponte Prizreni mposht Rahovecin dhe Peja pëson nga Bashkimi, atëherë ekipi i drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati do të dimërojë në krye të klasifikimit.

“Synimi i ekipit tonë është që këtë edicion të fitojmë trofe, ndonëse nëse duhet të zgjedhim, atëherë ai do të jetë titulli i kampionit. Edhe ndaj Rahovecit, do të futemi për fitore dhe ta përmbyllim vitin ashtu siç na ka hije, në vendin e parë në tabelë”, është shprehur Rifati që ka folur edhe për dhjetë xhirot e para të zhvilluara deri më tani. “Realisht kam pritur një rivalitet të tillë për shkak të pandemisë, që ka prekur shumë klube në aspektin financiar. Kampionati ishte shumë interesant deri më tani, por liga nuk do të jetë e barabartë”.

Në të vërtetë pjesa vjeshtore është përshkruar me rezultate befasuese, ku çdo skuadër ka mundur ta mposhtë tjetrën. Befasinë më të madhe e shkaktoi Vëllaznimi, që ia shkaktoi Pejës humbjen e parë. Në kuadër të xhiros së shtatë, Vëllaznimi triumfoi në Gjakovë me rezultatin e thellë 85:62 dhe këtë fitore ekipi gjakovar e arriti menjëherë pas asaj ndaj Sigal Prishtinës (73:61), në udhëtim. Sigal Prishtina që e nisi edicionin me triumfin në Superkupë, në kampionat ka regjistruar tri fitore dhe shtatë humbje dhe është ekipi i vetëm me lojtarë vendorë në përbërje – qasje kjo që do të ndryshojë pas përfundimit të xhiros së fundit të stinorit vjeshtor. E pikërisht këto rezultate befasuese, kanë bërë që edhe renditja tabelore të mos jetë ajo e zakonshmja, e viteve të shkuara.

“Pjesa e parë e kampionatit ishte shumë interesante edhe pse hendikep i madh ishte mungesa e shikuesve në palestra për shkak të situatës me pandeminë. Të gjitha ekipet janë munduar të tregojnë lojëra të mira dhe mund të them se ka pasur rezultate befasuese, të cilat kanë bërë që renditja në tabelë të mos jetë ashtu siç jemi mësuar ta shohim në vitet e kaluara”, është shprehur trajneri i Prishtinës, Andin Rashica. “Të gjitha ekipet kanë qenë pak a shumë të niveluara, por lojtarët e huaj kanë bërë dallimin në lojë. Ne jemi fokusuar më shumë në ruajtjen e shëndetit të lojtarëve dhe po ashtu jemi munduar t’ua japim mundësinë lojtarëve të rinj për ta përfunduar pjesën e parë me vendorë”.

Rezultate befasuese dhe ndeshje më interesante me rivalitet më të madh priten edhe në pjesën e dytë të edicionit. Kështu ka paralajmëruar trajneri i skuadrës së Bashkimit, Illmen Bajra.

“Ndoshta fillimi ishte paksa befasues dhe askush nuk ka pritur pothuajse që të gjitha ekipet do të jenë të niveluara pas turneut të Superkupës, duke pasur parasysh se të gjitha ekipet gati i filluan stërvitjet me vonesë pas pauzës prej shtatë muajve shkaku i virusit. Por, me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan shumë dhe ekipet ishin pothuajse të barabarta, gjë që solli edhe rezultatet befasuese ku secili ekip mund të fitonte ndaj tjetrit”, është shprehur Bajra. “Lojtarët e huaj ndoshta janë më të dobët se vitet e shkuara, por kjo ka niveluar cilësinë e ekipeve dhe dallimin po e bëjnë vendorët më të mirë. Në përgjithësi një stinor interesant e që besoj se do të bëhet edhe më cilësor në pjesën e dytë pasi do të ketë lëvizje edhe më të mëdha të skuadrave”.

Krahas Pejës edhe dy skuadra të tjera në pjesën vjeshtore kanë bërë ndryshime në postin e trajnerit. Golden Eagle Ylli dhe Trepça brenda pak ditësh kanë ndërprerë bashkëpunimin me Dragan Radoviqin e Neven Plantakun për të angazhuar trajnerë nga Turqia. Tek Ylli tashmë ka debutuar Fatih Emre Gezer me fitore, derisa te Trepça, turku Serhat Sehit do të debutojë ndaj Vëllaznimit.