Sport

Shkëmbi konfirmon kontaktin nga Ballkani, por thotë se s’ka asgjë konkrete

Trajneri Bledi Shkëmbi ka konfirmuar të mërkurën për KOHËN se është kontaktuar të martën nga një zyrtar i klubit Ballkani. Ai nuk ka dashur ta zbuloj emrin e zyrtarit, por ka pranuar se me kënaqësi do të kthehej të punonte në Kosovë.

“Në mos gaboj jam kontaktuar dje nga një zyrtar i Ballkanit, por vetëm më ka pyetur nëse jam i lirë apo jo dhe asgjë konkrete. Me kënaqësi do të kthehesha të punoj në Kosovë, sepse kam kaluar një vit të mirë me Lirinë dhe në futbollin kosovar në përgjithësi”, ka thënë Shkëmbi.

Shkëmbi e ka drejtuar Lirinë me sukses në edicionin 2017/2018. Ai së fundi ka punuar te skuadra e Teutës së Durrësit. Aktualisht është trajner i lirë. I lirë është edhe Orges Shehi që po ashtu është përfolur se është në bisedime me Ballkanin. Shehi për KOHËN ka theksuar se nuk ka biseduar me askënd. “Nuk kontaktuar me asnjë, por unë Kosovën nuk e ndaj nga Shqipëria dhe më pëlqen futbolli në Kosovë. E përcjelli dhe do të ishte kënaqësi të bisedoja me ndonjë skuadër në Kosovë e aq më tepër me Ballkanin”, ka thënë Shehi. Shehi së fundi ishte trajner te Kukësi, ndërsa karrierën si trajner e nisi te Skënderbeu.