Sport

Derbi i basketbollit luhet në Pejë

Dueli ndërmjet Pejës dhe Ponte Prizrenit është derbi i xhiros së dhjetë në Superligën e Kosovës në basketboll që do të luhet të mërkurën dhe enjten, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Kjo ndeshje do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi” të Pejës, të enjten prej orës 15:00.

Skuadra e Pejës prinë në tabelë më 16 pikë të mbledhura, një më shumë se Ponte Prizreni, ekip që në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar po aq fitore. Te enjten, në orën e njëjtë, do të zhvillohet edhe takimi ndërmjet Vëllaznimit e Bashkimit në Gjakovë.

Vëllaznimi në këtë ndeshje futet pas një serie prej dy humbjeve rresht derisa Bashkimi nuk di për disfatë në tri ndeshjet e fundit. Xhiroja e dhjetë e elitës së basketbollit kosovar, do të hapet të mërkurën, me dy ndeshje që do të luhen prej orës 15:00. Sigal Prishtina e pret Rahovecin që është i dyti në tabelë dhe nuk di për humbje prej xhiros së katërt. Ndërkohë, në Suharekë do të përballen Golden Eagle Ylli me Trepçën, ekipe që kohët e fundit nuk kanë treguar formë të mirë. Ylli ka katër humbje rresht, një më pak se Trepça që zë vendin e fundit në tabelë me 11 pikë.