Sport

PSG-ja insiston për Dybalan

E ardhmja e Paulo Dybalas te skuadra e Juventusit mbetet e paqartë. Refuzimi i rinovimit të kontratës dhe forma e tij e dobët kanë bërë që te Juventusi të marrin në konsideratë shitjen e sulmuesit gjatë afatit kalimtar të janarit.

E gjithë këtë situatë po e përcjell kampioni i Francës, Paris Saint-Germaini, që është futur në garë për shërbimet e Dybalas. Madje, thuhet se PSG-ja po insiston në transferimin e Dybalas gjatë janarit dhe po shpreson ta mposhtë konkurrencën e fortë nga klubet angleze, që gjithashtu kanë shprehur interesim për argjentinasin.

Dybala 27-vjeçar ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2022 dhe këtë edicion ka shënuar një gol në dhjetë paraqitje në të gjitha garat. Ai është pjesë e Juventusit prej vitit 2015, kur iu bashkua nga skuadra e Palermos.