Sport

Kosova pret shortin për një kampanjë tjetër të vështirë, me gjasa jo të mëdha për kualifikim

Ndeshje të mira kishte shfaqur Kosova në kualifikimet për “Euro 2020”. Entuziazmi rreth përfaqësueses kishte prekur kulmin, ndërsa ishte rritur shumë besimi se në tentimin e parë do të sigurohej kualifikimi në Evropianin e futbollit.

Nuk ndodhi kështu. Kosova përfundoi e treta në grupin A, pas Anglisë dhe Çekisë dhe para Bullgarisë e Malit të Zi. Kosova ishte goxha afër, por për kualifikim në ngjarje të madhe duhet të presë një rast tjetër.

Kosova në mars nis ciklin e ardhshëm kualifikues – atë për Botërorin 2022, që mbahet në Katar. Por gjasat që Kosova të sigurojë kualifikimin vlerësohen fare të vogla.

Ka shumë arsye për këtë. Në Botëror kualifikohen vetëm 13 përfaqësuese evropiane, ndërsa në kualifikime marrin pjesë të gjitha 55 përfaqësueset. Rezultatet e deritashme të Kosovës kanë bërë që pozita në renditjen e FIFA-s të mos jetë e dëshiruar. Rrjedhimisht Kosova është në vazon e pestë për short. Kjo nënkupton se në grup do të ketë katër rivalë që të paktën në letër llogariten më të fortë se Kosova.

Nga secili grup kualifikohet i pari, ndërsa i dyti shkon në plejof. Pra Kosova, si përfaqësuese e vazos së pestë, duhet të bëjë befasi të madhe për të siguruar Botërorin.

Edhe gjendja e ekipit të Kosovës nuk vlerësohet më e mira. Ndeshjet e fundit kanë vënë në pah dobësi në lojën e Kosovës dhe në organizimin rreth përfaqësueses. Në disa pozita ka mungesë konkurrence, ndërsa lojtarët jo gjithnjë kanë qenë të përkushtuar për sukses të përfaqësueses. Edhe gjendja e tyre nëpër klube lë shumë për të dëshiruar. Ka pak gjasë që gjendja të ndryshojë shumë deri në mars, kur luhen ndeshjet e para kualifikuese.

Një vlerësim më real për gjasat e Kosovës për kualifikim mund të jepet nga përgjegjësit të hënën mbrëma, pas shortit të kualifikimeve. Shorti tërhiqet më 7 dhjetor në Zuerich, nga ora 18:00.

Kosova mund të jetë në grup me pesë përfaqësuese, ku në letër do të ishte më e dobëta, apo me gjashtë përfaqësuese, ku do ta kishte një konkurrent më të dobët. Në vazon e gjashtë janë: Malta, Moldavia, Lihtenshtajni, Gjibraltari e San Marino.

Në vazon e parë janë: Belgjika, Franca, Anglia, Portugalia, Spanja, Italia, Kroacia, Danimarka, Gjermania e Holanda. Njëra prej tyre do të jetë rivale e Kosovës, kurse rivalë nga vazoja e dytë do të jenë Zvicra, Uellsi, Polonia, Suedia, Austria, Ukraina, Turqia, Sllovakia apo Rumania. Në vazon e dytë është edhe Serbia, por ndeshjet Kosovë – Serbi nuk lejohen. Kosova prej vazos së tretë nuk mund të përballet me Rusinë, ndërsa prej vazos së katërt me Bosnjë-Hercegovinën. Janë këto përfaqësueset më të forta në vazot e tyre. Pos Rusisë, në vazon e tretë janë: Hungaria, Irlanda, Çekia, Norvegjia, Irlanda e Veriut, Islanda, Skocia, Greqia e Finlanda. Në vazon e katërt pos Bosnjë-Hercegovinës janë edhe Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bullgaria, Izraeli, Bjellorusia, Gjeorgjia e Luksemburgu. Së fundi Kosova ka humbur nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, që janë në vazon e katërt. Por për kualifikim duhet të mposhtë përfaqësuese shumë më të forta, të paktën edhe ato të vazos së tretë e të dytë.

Përfaqësueset janë ndarë nëpër vazo në bazë të ranglistës së fundit të FIFA-s. Kosova ka synuar të jetë dukshëm më lart se pozita e 117-të që e mban aktualisht. Por rezultatet e këtij viti ishin dëshpëruese dhe ecja tutje ishte e pamundur.

Menjëherë në mars Kosova i luan tri ndeshje kualifikuese. Tri i ka edhe në shtator e më pas luhen ndeshje kualifikuese edhe në tetor e në nëntor. Vera është e rezervuar për Evropianin që është shtyrë për shkak të pandemisë. Në Evropian, Kosova nuk është. Nuk u shfrytëzua as rasti përmes plejofit të Ligës së Kombeve. Biletën e Ligës D e mori Maqedonia e Veriut. Plejofi vlerësohej rast i artë.

“Me siguri se grupi do të jetë shumë i vështirë. Është e qartë që do të kemi në grup kundërshtarë të fortë. Do të kemi nga vazoja e parë dhe e dytë përfaqësuese të mëdha evropiane. Por kjo nuk duhet të na frikësojë. Këto kualifikime duhet t’i shfrytëzojmë për t’u zhvilluar edhe më shumë si ekip dhe për të luajtur ndeshje të mira. Do të kemi ndeshje me përfaqësuese të nivelit tonë dhe me përfaqësuese shumë të forta. Na duhen ndeshje të tilla”, ka thënë selektori i Kosovës, Bernard Challandes për KOHËN, ditë më parë.

Të paktën për ndeshjet e marsit, Challandes dhe lojtarët e Kosovës nuk pritet të kenë përkrahjen e tifozëve. Mungesa e tifozëve ka penalizuar Kosovën edhe në ndeshjet e këtij viti, vlerëson tekniku zviceran.

“Është problem i madh të luajmë pa tifozë. Nëse luajmë me tifozë në Prishtinë, atëherë jemi ekip krejtësisht tjetër. Të shpresojmë që situata të përmirësohet, por njëkohësisht duhet të adaptohemi me të ardhmen”, ka thënë Challandes.

Kosova ka përvojën e kualifikimeve të Botërorit, ndonëse në një situatë jo shumë të zakonshme. Kur ende procesi i themelimit të përfaqësueses ishte në nismë, Kosova luajti kualifikimet për Botërorin 2018. Ndeshjet si vendas i luajti në Shqipëri. Disa lojëra u vlerësuan, por rezultatet ishin të dobëta. Në dhjetë ndeshje Kosova mori vetëm një pikë, falë barazimit me Finlandën. Në grup ishin edhe Islanda, Kroacia, Ukraina e Turqia. Më vonë Kroacia doli nënkampione e botës.

Grup të përafërt Kosova do të ketë edhe këtë herë. Por shpresat janë për shumë më tepër pikë të mbledhura. Më optimistët besojnë edhe në kualifikim, ndonëse entuziazmi ka rënë goxha shumë në ndeshjet e këtij viti.