Sport

Drita fiton ndeshjen e mbetur me Llapin

Kampionia në fuqi, Drita, e ka fituar ndeshjen e mbetur të Superligës së Kosovës në futboll kundër Llapit.

Dueli i xhiros së parë që u shty për shkak të angazhimeve të Dritës në kualifikimet e Ligës së Evropës, u zhvillua të enjten në Gjilan dhe përfundoi me fitoren minimale 1:0 të ekipit vendas.

Golin e fitores për Dritën, e shënoi kapiteni Ard Limani në minutën e 17-të.

Me këtë fitore, Drita forcohet në pozitën e dytë me 33 pikë, dy më pak se Ballkani që është lider.

Të dyja këto skuadra do të përballen mes vete të dielën (13:30), në duelin e xhiros së 16-të që zhvillohet në stadiumin e qytetit të Gjilanit.