Sport

Shala, trajneri 29-vjeçar i nënkampionit të Zvicrës

Shala, trajneri 29-vjeçar i nënkampionit të Zvicrës
 

Orest Shala nuk mburret me të kaluarën e tij si futbollist. Thotë se nuk e ka pasur nivelin e duhur për të qenë lojtar i ndonjë klubi profesionist në Gjermani. Këtë e kishte kuptuar me të dalë te seniorët. Por, 29-vjeçari ka për çka të mburret sot. Shala i lindur në Prizren, që nga gushti i këtij viti ka nisur punën si ndihmëstrajner te nënkampioni i Zvicrës, skuadra e St. Gallenit. E St. Galleni e ka nisur mbarë edhe këtë edicion në Superligën e Zvicrës. Është në luftë për titull të kampionit. Si futbollist, Shala nisi të luajë qysh në moshën shtatëvjeçare nëpër klube të ndryshme të Berlinit.

“Por, kur nisa të luaja në ekipin senior, e kuptova se nuk do të mund të kaloja të luaja si futbollist profesionist. Kam qenë si futbollist në përfaqësuesen rajonale për U16 dhe U17”, ka thënë Shala të mërkurën në një bisedë për KOHËN. “Fokusi im i plotë ishte që të orientohem vetëm në shkollimin dhe zhvillimin tim si trajner i futbollit”.