Sport

Berisha po i mban gjallë shpresat e Salzburgut në Champions

Mërgim Berisha u promovua të martën mbrëma si njeriu kryesor që i garanton skuadrës së Salzburgut jetë më të gjatë këtë edicion në Ligën e Kampionëve, shkruan "Salzburg24.at". 

Sulmuesi 22-vjeçar u bë sebep që skuadra e Salzburgut të ketë fatin në duart e veta sa i përket kualifikimit në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve, në ndeshjen e xhiros së fundit që e luan javën tjetër. Me katër gola në pesë ndeshje të Championsit, Berisha u fut në librat e historisë së futbollit gjerman në triumfin 2:1 ndaj Lokomotivës së Moskës. Sulmuesi i gjatë 188 centimetra është futbollisti i parë nga Gjermania që ka pasur një shpërthim të tillë në garën elitare të Evropës që nga Juergen Rische me Kaiserslauternin në vitin 1998. Me dy gola kundër ekipit rus, sulmuesi me rrënjë nga Kosova tashmë e ka stabilizuar veten si një lojtar shumë të rëndësishëm tek ekipi i Salzburgut.

“E dinim se na nevojitej fitorja me çdo kusht ndaj Lokomotivës dhe e arritëm. Ishte një lojë shumë, shumë e mirë e ekipit tonë dhe për këtë më duhet të përgëzoj të gjithë lojtarët”, është shprehur Berisha të mërkurën.

Përderisa Salzburgu festonte fitoren në Moskë, Bayern Muencheni i bëri një favor të madh ekipit austriak pasi në duelin në Spanjë kundër Atletico Madridit luajti baras 1:1, dy orë më vonë. Falë golit të Thomas Muellerit në minutën e 86-të nga penalltia, Salzburgu do ta ketë finalen të mërkurën tjetër kundër Atletico Madridit për një vend në fazën e nokautit. Atletico zë vendin e dytë në tabelë me gjashtë pikë, dy më shumë se Salzburgu që është i treti dhe me fitore eventuale do të kualifikohej tutje. Meqenëse kampioni i Austrisë, Salzburgu, arriti vonë në hotelin e Moskës pas duelit me Lokomotivën, ata nuk arritën ta ndiqnin plotësisht ndihmën e Bayernit. Mirëpo Berisha ishte akoma më i lumtur për barazimin, ndoshta më i lumtur sesa për dy golat që i shënoi.

“Unë nuk e kam parë shumë atë ndeshje. Mirëpo mund të them se ai barazim më gëzoi shumë dhe tani na pret një finale e vërtetë me Atleticon. Jemi shumë të lumtur dhe me padurim e presim përballjen që do të përcaktojë fatin tonë në Ligën e Kampionëve”, shtoi Berisha.

Salzburgu u kthye në shtëpi nga Rusia të mërkurën në drekë dhe menjëherë iu nënshtrua testimeve të detyrueshme të koronavirusit në qendrën stërvitore përpara seancës së rigjenerimit.

Berisha në fillim të këtij viti u kthye te Salzburgu pas një serie huazimesh – LASK, Magdenburg, Altach – dhe pati vështirësi për një periudhë të gjatë.

“Nuk ishte aspak e lehtë, por mendoj se kam bërë një zhvillim të mirë si lojtar. Pas kthimit te Salzburgu nuk pata edhe shumë minutazhë, por nuk u dorëzova për asnjë moment”, tha ai.

Këtë sezon lojtari i rritur te Salzburgu ka fituar minutazhë dhe ka zëvendësuar më denjësisht se sa duhet të dëmtuarin Patson Daka, që ishte sulmuesi i parë i ekipit. Berisha u zbulua nga skautët e Salzburgut në vitin 2008, kur ishte vetëm dhjetëvjeçar kurse tani po tregohet si lojtari kryesor.

“Është çmenduri dhe unë jam shumë i lumtur për të. Ai ishte shumë i durueshëm në pranverë kur luanim me Hee-chanin dhe Patsonin në sulm. Unë i thosha atij që të vazhdonte të punonte”, tha trajneri i Salzburgut, Jesse Marsch.

Edhe pse nuk ishte gjithmonë i lumtur dhe i kënaqur në fillim. Berisha gjithmonë ka luftuar dhe ka punuar në stërvitje duke u përmirësuar nga dita në ditë.

“Dhe, kur erdhi rasti ai e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Berisha është një lojtar më se i rëndësishëm për ne, sidomos në kohën që jemi pa sulmuesin Daka”, pranoi Marsch.

Me katër gola në pesë ndeshje të Championsit për 383 minuta lojë në total, Berisha renditet i shtati në listën e Championsit për nga saktësia, duke lënë pas vetes yjet si Lionel Messi, Robert Lewandowski e Cristiano Ronaldo. Krahas katër golave, ai ka edhe dy asistime në Ligën e Kampionëve, kurse në të gjitha garat këtë sezon, Berisha ka shënuar nëntë gola në 15 paraqitje. Ai ka premtuar edhe më shumë gola këtë sezon, kurse nuk ka zbuluar synimet e mëdha që i ka.

“Fillimisht dua të kualifikohemi në raundin tjetër të Championsit dhe kjo është me rëndësi. Natyrisht, se kam dëshirë të shënoj gol dhe ta ndihmoj ekipin, por do të shohim”, u shpreh ai. “Unë kam në kokë synimet e mia, të cilat dua t’i mbaj për vete dhe kur të vijë koha e duhur do t’i zbuloj ato”.

Berisha në tetor të vitit të shkuar është ftuar nga Përfaqësuesja U21 e Gjermanisë dhe në shtatë paraqitje ai ka shënuar një gol. Mediumet gjermane tashmë kanë filluar të shkruajnë se Berisha meriton një ftesë nga Joachim Loewi, që është përzgjedhës i Përfaqësueses A të Gjermanisë pas shpërthimit që e ka pasur këtë vit. Madje gjermanët kanë pranuar se Berisha shumë lehtë mund ta zgjedhë edhe Kosovën nëse në një të ardhme të afërt nuk merr sinjal nga Loewi.

“Berisha tashmë është lojtari i ekipit U21 të Gjermanisë, por jo për shumë gjatë pasi ka të drejtë të luajë vetëm edhe në Kampionatin Evropian të kësaj gjenerate që mbahet verën e ardhshme. Pas kësaj, ai do të ketë të drejtë të luajë vetëm për ekipin A dhe duhet të ftohet nga Loew për shkak se është një sulmues klasik, i cili momentalisht mungon te Gjermania. Sigurisht Berisha mund të vendosë të luajë edhe për Kosovën, sepse edhe atje i kanë parasysh shumë mirë aftësitë e tij sulmuese”, ka shkruar “90min.de”. “Nëse Berisha këtë edicion e mbyll te Salzburgu me 20 gola, atëherë nuk mund të injorohet nga Gjermania”.

Berisha ka kontratë me skuadrën e Salzburgut deri në verën e vitit 2022.