Sport

UEFA po shqyrton modelin që garanton dhjetë ndeshje në fazën e grupeve

 

UEFA së shpejti do të zhvillojë bisedime rreth propozimit që e sheh të transformuar fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për të garantuar dhjetë ndeshje për secilën skuadër, kanë njoftuar mediumet e huaja të mërkurën.

Reformimi i Ligës së Kampionëve pritet që nga viti 2024 e këtej, pasi organi drejtues i futbollit evropian – UEFA - synon të shmangë kërcënimin e një Superlige të shkëputur e që do të formohet nga klubet më të mëdha të kontinentit. Gazeta britanike “The Times” raportoi se një “sistem zviceran” do të shihte të gjitha ekipet në garë të konkurronin në një kampionat dhe të luanin me dhjetë kundërshtarë të ndryshëm, të zgjedhur nga një short, tani është modeli i preferuar i UEFA-s për reformën në Champions. Sistemi është krijuar që të ketë më pak ndeshje të pakuptimta në grupe dhe më shumë ndeshje midis klubeve më të mëdha të kontinentit. Pas dhjetë ndeshjeve, 16 klubet më të mira në renditje do të kalonin në raundet e nokautit. Skuadra që përfundon në krye të renditjes së kampionatit do të luante me klubin në vendin e 16-të, e dyta do të luante me të 15-n dhe kështu me radhë, në një sistem të ngjashëm me atë të përdorur në plejofin e ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA. Ekipet që përfundojnë nga pozita e 17-të deri në pozitën e 24-t, do të bien në raundet kualifikuese të Ligës së Evropës. Aktualisht, faza e grupeve në Ligën e Kampionëve përbëhet prej 32 skuadrave të ndara në tetë grupe me nga katër, ku dy të parat avancojnë në raundin e nokautit derisa vendi i tretë vazhdon garat në Ligën e Evropës. Propozimet e mëparshme për katër grupe me tetë skuadra për të garantuar 14 ndeshje për secilën klub u refuzuan. Lars-Christer Olsson, kryetari i shoqatës së Ligave Evropiane që mbulon 29 shtete, tha se propozimet e reja kishin një shans më real për të gjetur konsensus. Sipas tij, gjasat janë të mëdha që Liga e Kampionëve të ketë një model të ri që garanton më shumë ndeshje në fazën e grupeve. Ai thotë se propozimet e vitit të shkuar ishin refuzuar kategorikisht.