Sport

Berisha dhe Rrahmani, kapitenët e dy shteteve shqiptare nga e njëjta lagje

Descriptive Text

Janë rritur në Lagjen e Spitalit në Prishtinë dhe falë punës së madhe që kanë bërë, kanë arritur të luajnë edhe në elitën e futbollit italian, që ndryshe njihet si Serie A. Të dytë kanë pasur vështirësi të mëdha gjatë karrierës, pasi nga “lloçi” i Kosovës ia dolën që të depërtojnë në futbollin evropian, në kohën kur ky sport në Kosovë ishte i izoluar dhe pengesat ishin të mëdha, përfshirë këtu edhe problemet me viza.

Ndeshjet përballë njëri-tjetrit në lagjen e kryeqytetit u zhvendosën në fusha të futbollit, për të prekur suksese më të mëdha, deri te përfaqësimi – bartja e fanellës së vendlindjes. Bëhet fjalë për portierin Etrit Berisha që luan te ekipi SPAL në Itali dhe qendërmbrojtësin Amir Rrahmani, që është pjesë e skuadrës së Napolit.

Në ndeshjen miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, të zhvilluar në Elbasan më 11 nëntor, e që u fitua nga “kuqezinjtë” me 2:0, dy shokët e lagjes ishin kapitenë: Berisha në njërën anë te Shqipëria dhe Rrahmani në tjetrën, te Kosova.

Për KOHËN, Berisha dhe Rrahmani pranuan se ndihen krenarë që u është besuar shiriti i kapitenit te Shqipëria, përkatësisht Kosova. Përderisa Berisha ka luajtur vetëm për Shqipërinë, Rrahmani përveç “Dardanëve” e ka veshur edhe fanellën e Kombëtares shqiptare.

“Jam krenar dhe i nderuar që jam kapiten i Kombëtares. Është një privilegj i madh për mua të bart shiritin e kapitenit. Ishte ndjenjë fantastike dhe e papërshkruar që edhe në vëllazëroren me Kosovën isha kapiten. Mund të them se ishte një emocion shumë i veçantë”, pranoi Berisha.

Ndërkohë, Rrahmani shtoi: “Te jesh kapiten i Kosovës është nder dhe krenari. Sigurisht që ndihem shumë i lumtur sa herë që prezantoj shtetin tim. Është ndjenjë fantastike dhe gjithmonë jap më të mirën që të prezantohemi në mënyrën më të mirë”.

Berisha e Rrahmani tregojnë edhe për fëmijërinë e tyre në lagje ku kanë luajtur kundër njëri-tjetrit. Ndërsa të dy ishin bashkëlojtarë te Shqipëria në kohën kur Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA. “Me Amirin njihemi qe një kohë të gjatë pasi jemi nga e njëjta lagje e Prishtinës.

E njohin njeri-tjetrin qe një kohë të gjatë, kemi qenë edhe te Kombëtarja e Shqipërisë bashkë dhe është rrugëtim interesant”, shtoi Berisha 31 vjeçar.

Rrahmani është gjashtë vjet më i ri se Berisha, dhe ngjashëm si portieri kujton kohën në lagje dhe te Shqipëria.

“Ndeshjet me Shqipërinë gjithmonë janë emocionuese për arsye që të gjithë i dimë. Edhe ndeshja e fundit e luajtur ishte e tillë. Unë kam qenë edhe pjesë e Shqipërisë dhe sigurisht që kam emocione më të veçanta. Para ndeshjes ishte shumë interesant që të dy kapitenët ishim nga Prishtina, e madje nga e njëjta lagje”, shton 25-vjeçari. “Etritin e njoh qe një kohe të gjatë, kemi luajtur edhe si fëmijë, kemi qenë edhe te Kombëtarja së bashku dhe sigurisht që ishte moment emocionues”.

Etrit Berisha e kujton mirë edhe duelin e zhvilluar në Prishtinë, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, ka qenë moment që nuk do ta harrojë kurrë.

“Te luash ndaj vendit tënd përderisa është miqësore është në rregull. Normalisht, që je i emocionuar. Por ndeshja e parë e luajtur në Prishtinë do të mbetet gjatë në kujtimet e mia pasi stadiumi ishte i mbushur dhe luaja në vendin ku jam rritur, ky ishte edhe një lloj falënderimi për të gjithë shqiptarët e Kosovës, për mbështetjen e madhe që na japin dhe udhëtojnë nga Kosova për të na përkrahur”, ka deklaruar Berisha.

Kërkojnë më shumë

Shqipëria javën e shkuar ia doli të përfundojë e para në Grupin e katërt të Ligës C të Ligës së Kombeve për të siguruar kalimin në një rang më lart – Ligën B – për edicionin e ri.

Ndërkohë, Kosova edhe edicionin tjetër do të luajë në Ligën C, në të cilën u promovua këtë vit pas suksesit që e pati në Ligën D. Berisha thotë se të gjitha ndeshjet që i kanë zhvilluar ishin shumë të vështira. Sipas tij, edhe presioni për t’i fituar ndeshjet dhe për të përfunduar në pozitën e parë në grup, që edhe ishte synim, ka qenë i madh.

“Të gjitha ndeshjet që i kemi luajtur kanë qenë të vështira. Të gjithë lojtarët në shtetet e tyre ta japin maksimumin, ta prezantojnë shtetin e tyre në mënyrën më të mirë. E kemi ditur që kemi kualitete në ekip, kemi luajtur shumë mirë përveç ndeshjes me Lituaninë në shtëpi. Në dy ndeshjet e fundit kemi pasur më shumë presion shkaku i rezultatit. Ekipi ka treguar pjekuri të madhe në këto dy ndeshje dhe kjo do të na shërbejë për të ardhmen. Do të jemi në Ligën B dhe do të testohemi me ekipe të mëdha, dhe do të jetë një test dhe mundësi e mirë për të gjithë ne”, tha Berisha.

Ndërkaq Amir Rrahmani u shpreh se rezultatet e Kosovës në edicionin e sapopërfunduar të Ligës së Kombeve nuk ishin të mira. Ai thotë se këtu ndikoi edhe përhapja e pandemisë që rezultoi me mungesë të lojtarëve pothuajse në të gjitha ndeshjet. Megjithatë, ai shpreson se në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2022, Kosova do të ketë rezultate më të mira edhe pse pranon se grupi do të jetë shumë i fortë. Shorti për këto kualifikime do të hidhet më 7 dhjetor.

“Nuk kemi pasur rezultatet që i kemi pritur dhe sigurisht që nuk jemi të kënaqur. Kemi qenë të pafat edhe me situatën e koronavirusit, e cila ka ndikuar shumë. Megjithatë, shpresoj që në ndeshjet kualifikuese të Botërorit do të jemi të gjithë dhe do të arrijmë te rezultatet pozitive”, nënvizoi Rrahmani.

Ngritja e madhe në karrierë

Etrit Berisha e ka filluar karrierën te skuadra e 2 Korrikut të Prishtinës.

Nga klubi kryeqytetas, ai u transferua te Malmo (2010), ekip elitar i Suedisë në të cilin qëndroi për tre vjet. E nga Malmo, Berisha e bëri hapin e madh në karrierë kur në vitin 2013 iu bashkua Lazios në Serie A. Edhe te Lazio, Berisha qëndroi për tre vjet përpara se t’i bashkohej ekipit tjetër elitar të Italisë, Atalantas. Këtë edicion Berisha është pjesë e SPAL-it, ekip që bën gara në Serie B.

“Kam qëndruar te SPAL-i për ta ndihmuar që të kthehet në Serie A edicionin tjetër, pasi nuk arritëm të sigurojmë mbetjen në edicionin e shkuar”, tha Berisha që për Shqipërinë ka 63 paraqitje.

“Natyrisht, që synimet e mia për të ardhmen janë të mëdha. Por tani po mendoj vetëm për t’u kthyer me SPAL-in në elitë”.

Rrugë më të gjatë se Berisha për të arritur deri në Serie A ka pasur Rrahmani, që këtë edicion është pjesë e skuadrës së Napolit. Ai karrierën e nisi te Kosova e Prishtinës, për të kaluar pastaj te Ramiz Sadiku. Në Kosovë, Rrahmani luajti edhe për Drenicën përpara se të vazhdojë karrierën në Shqipëri, te skuadra e Partizanit të Tiranës. Hapin e parë drejt futbollit evropian, Rrahmani e bëri në vitin 2015, kur e la Partizanin për të kaluar te Spliti i Kroacisë. Më pas ai u transferua te Dinamo e Zagrebit, kurse verën e vitit të shkuar e bëri hapin e madh në karrierë. Verona, ekip që ishte kthyer në Serie A, e transferoi Rrahmanin që në sezonin 2019/20 shkëlqeu dhe ishte ndër mbrojtësit më të dalluar në kampionat.

Në gjysmë të sezonit të kaluar, Napoli pagoi 15 milionë euro për të siguruar shërbimet e Rrahmanit që muaj më parë iu bashkua ekipit të ri.

Me Kosovën, Rrahmani është futbollisti me më së shumti paraqitje. Ai me “Dardanët” ka 33 ndeshje dhe pesë gola të shënuar. Me Shqipërinë, Rrahmani në dy ndeshje ka shënuar një gol dhe atë në miqësoren kundër Kosovës, të luajtur në vitin 2015 në Prishtinë.