Sport

Joyce befason Duboisin, bën hap të madh para drejt luftës për titull bote

Joe Joyce ka bërë befasi të madhe mbrëmë duke bërë një hap të madh para drejt meçit për titull bote në peshën e rëndë. Joyce ka mposhtur britanikun Daniel Dubois me nokaut teknik në raundin e dhjetë.

Joyce, medalist i argjendtë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, përdori në mënyrë të përsosur goditjen direkt të tij për t’i shkaktuar plagë në sy Duboisit.

Duboisi vet dha disa goditje, por shihej që po i pengonte lëndimi në sy. Syri i tij i majtë vetëm sa shkoi të mbyllej dhe në raundin e dhjetë Dubois u ul në gjunjë dhe nuk mundi të vazhdonte më.

Joyce 35-vjeçar vlerësohej autsajder në këtë meç përballë Duboisit.

Të dy boksierët u futën në përballjen, e vlefshme për titullin e Evropës, Britanisë dhe Komonuellthit, pa humbje në boksin profesionist.

Dubois 23-vjeçar kishte bilanc prej 15 fitore nga po aq meçe, 14 me nokaut. Joyce ndërkohë ka fituar meçin e 12-të në profesionizëm, e të 11-in para kohës.

Joyce po pritet të përballet me ukrainasin Oleksandr Usyk për titullin vakant të botës në versionin WBO. Ky titull momentalisht i takon Anthony Joshuas, por po pritet të bëhet vakant.

Joyce ishte mposhtur nga Usyk në amatorizëm.

“Jam i gatshëm për Oleksandr Usykun”, ka thënë Joyce raporton BBC.