Sport

Fazlija: Kundër Rusisë kemi luajtur pa repartin e sulmit

Përzgjedhësja e Përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave, Afërdita Fazlija, pas humbjes nga Rusia në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2022, ka thënë se skuadrës së saj i mungoi reparti i sulmit.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe lëndimeve, te Kosova ka pasur mungesa të shumta. Kosova e humbi ndeshjen 3:0 nga Rusia, transmeton KOHA.

“E kemi ditur se do të jetë një ndeshje e vështirë. Jemi munduar të punojmë në pjesën psikologjike pasi në 15-20 minutat e para po e kemi një ngërç të ekipit. Edhe në lojën e kaluar në ato minuta kemi pasur lëshime. Mund të themi lirisht që ndoshta pësuam më tepër gola se sa që merituam. Morëm gola shumë të lehta me përjashtim të golit të parë që mendoj se ka qenë faull, që megjithatë, u pranua. Pas golit të tretë u munduam që të mobilizohemi, por mungesa e sulmueseve e bëri të veten. Realisht sot kemi luajtur me dy reparte. Me repartin e mbrojtjes dhe mesfushës. Jemi munduar që brenda lojës të ndërrojmë e të bëjmë skema të ndryshme, mirëpo mungesa e sulmueseve tipike bëri që të mos kemi realizim. Mund të themi lirisht që pjesa e parë nuk ishte e mirë, ndërsa pjesa e dytë ishte një përballje dhe një angazhim maksimal. Sidoqoftë, Rusia është një ekip më i mirë dhe kaq janë mundësitë tona sidomos me këtë gjendje të pandemisë në mungesën e 4-5 lojtareve”, deklaroi përzgjedhësja Afërdita Fazlija pas ndeshjes.