Sport

“Diego ishte i pafat te Barcelona”, thotë njeriu që transferoi Maradonën e Messin në “Camp Nou”

Ndryshimi midis periudhës së vështirë të Diego Maradonas te Barcelona dhe mbretërimit triumfues të Lionel Messi në klub është kryesisht për shkak të fatit, tha njeriu që ndihmoi në sjelljen e të dy lojtarëve argjentinas në “Camp Nou”.

“Ata janë dy lojtarë shumë të ngjashëm. Ata janë dy numrat 10. Ky është një pozicion i vlerësuar shumë historikisht në Argjentinë”, tha Jose Maria Minguella. “Numri 10 është krijuesi i lojës, ai që e merr topin dhe në një farë mënyre krijon rrezik për kundërshtarin”.

Minguella është përfshirë te Barcelona që nga fillimi i viteve 70-ta dhe ndihmoi në arritjen e marrëveshjeve për të siguruar jo vetëm dy yjet argjentinas, por edhe një mori lojtarësh të tjerë, përfshirë këtu yje të tillë ndërkombëtarë si Romario dhe Hristo Stoichkov. Pas një miqësie të gjatë, ai solli Maradonan, 21 vjeç, në Barcelonë për një dëmshpërblim prej 7.6 milionë dollarësh në vitin 1982, që atëbotë ishte një rekord botëror. Minguella ishte gjithashtu i përfshirë në marrëveshjen që solli Messin në klub në moshën 13 vjeçare. Duke e kujtuar Maradonan, i cili vdiq të mërkurën në moshën 60-vjeçare pas një sulmi kardiak, Minguella tha: “Diego ishte i pafat te Barcelona”.

Maradona luajti për Barcelonën nga viti 1982 deri në vitin 1984, por sezoni i tij i parë u ndërpre nga hepatiti dhe në sezonin e tij të dytë, Maradona theu kyçin e këmbës së majtë pas një dueli me mbrojtësin e Athletic Bilbaos, Andoni Goikoetxea. Kur të dy klubet – Barcelona dhe Bilbao - u takuan në finalen e kupës në fund të sezonit, Maradona filloi një sherr në fushë që i dha atij një suspendim prej tre muajve në Spanjë. Ai më pas u transferua në Napoli, ku ishte i adhuruar.

“Diego ishte vetëm për dy vjet te Barcelona, një dëmtim i rëndë dhe një sëmundje e privoi atë nga eksploziviteti i tij”, insistoi Minguella. “Shpërthimi i tij erdhi në shprehje te Napoli”.

Për dallim prej Maradonas, përvoja e Messit te Barcelona ka qenë shumë më e lumtur. Aktualisht, Messi është edhe kapiten i Barcelonës dhe lojtari kryesor në ekip.

“Leo ka qenë një pikë referimi e futbollit në Barcelonë. Ai ka formuar një epokë, ka fituar tituj, ka thyer rekorde të të gjitha llojeve”, është shprehur Minguella.

Edhe pse Messi është dukshëm më i suksesshëm se Maradona te Barcelona, Minguella vështirë se sheh ndryshim mes tyre në aspektin e lojës.

“Ne mund të themi se Leo ka qenë më i suksesshmi për sa i përket trofeve, por sa i përket lojtarëve nuk vërej ndonjë ndryshim të madh midis njërit dhe tjetrit. Të dy janë të majtë, me gjatësi të ngjashme dhe dhe kontrasti i vetëm është se ata kanë luajtur në epoka të ndryshme”, insiston ai. “Në kohën e Maradonas, arbitrat ishin shumë më të butë, të gjitha ekipet kishin luftëtarët e tyre në mesfushë dhe mbrojtje të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, do të privonin kundërshtarët për të treguar aftësitë e tyre”.

Minguella shtoi se gjithçka që sillej rreth futbollit në epokën e Maradonas ishte shumë më ndryshe duke filluar nga topi e deri te këpucët e lojës dhe fusha.

“Dhe atëherë ishte edhe cilësia e topit, cilësia e këpucëve, fushat e lojës, të cilat tani janë si tavolina të vërteta të bilardos. Para ndeshjeve, lojtarët duhej të përballeshin me ujë dhe baltë. E gjithë kjo e bën atë një krahasim shumë të vështirë, por unë do të thosha që ata janë lojtarë të fiksuar me lojën e tyre, me të luajtur futboll, të fiksuar pas taktikave, të fiksuar për të arritur në zonën e kundërshtarit sa më shpejt dhe të fiksuar për të shënuar gola”, shtoi Minguella. “Ata janë dy lojtarë që nuk janë shumë të hapur, por më tepër të mbyllur. Kur Barcelona udhëtonte me ekipin për ndeshjet si mysafire, lojtarët do të dilnin për shëtitje në mëngjesin e lojës. Diego do të qëndronte në dhomë. Në këtë kuptim, ai ka një raport të caktuar me Leon në atë që ata janë njerëz të tërhequr".

Ai tha që të dy lojtarët kishin nevojë për kohë në një klub: Messi te Barcelona dhe Maradona te Napoli.

“Leo ka qenë shumë më efektiv sepse ka qenë këtu për shumë vite. Efekti ka qenë i drejtpërdrejtë, shumë i fuqishëm. Diego nuk e kishte këtë mundësi në Barcelonë, sepse u largua herët. Megjithatë, ai e shndërroi Napolin nga një ekip të panjohur në njërin prej më të mirëve në Evropë. Dhe, kjo është fuqia e lojtarëve më të mirë”, u shpreh Minguella.

Në total, Maradona me fanellën e Barcelonës ka regjistruar 36 ndeshje dhe ka shënuar 22 gola në të gjitha garat. Ndërsa, te Napoli ai shënoi 81 gola në 188 paraqitje përgjatë shtatë vjetëve (1984-1991).