Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka humbur me rezultat të thellë nga Sllovakia. Të enjten mbrëma në Bratislavë, Kosova pësoi me shifrat 91:67.
Ndeshja i takoi grupit B të raundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023.
Për Kosovën është humbja e parë pas dy fitoreve. Fitoret i kishte shënuar në shkurt, ndaj Islandës (80:78) dhe ndaj Luksemburgut (84:80).
Ndaj sllovakëve, lojtarët e Kosovës ishin inferiorë. Vendasit janë shkëputur herët në rezultat dhe kanë mbajtur epërsinë deri në fund. Kosova ka pasur mungesa në përbërje, që janë vërejtur goxha shumë.
Të shtunën Kosova luan ndaj Islandës. Edhe kjo ndeshje zhvillohet në Bratislavë.
Kapiteni Drilon Hajrizi sërish ishte më i miri te Kosova. Ai ndeshjen e mbylli me 17 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Te Sllovakia u dallua Vladimir Brodziansky me 26 pikë e 12 kërcime. Pikë dyshifrore te Kosova kishin edhe Erjon Kastrati (14) dhe Fisnik Rugova (11).