Katër minuta. Dy momente. Një Diego Maradona.
Polemika dhe gjenialiteti. Dora e Zotit dhe Goli i Shekullit.
Maestro i Argjentinës e luajti melodinë e tij në Kupën e Botës të vitit 1986. E fitoi garën që e dëshiroi për vendin e tij, duke frymëzuar shokët e ekipit që i kishte përreth.
Ishte ylli i shquar i lundrimit të Argjentinës përmes fazës së grupeve. Bëri ndryshimet në fazat e nokautit. Dhe, në fund të gjithave, ikona e mban lart trofeun e lakmuar nga të gjithë.
Kupa e Botës së vitit 1986, që u mbajt në Meksikë, i përkiste Diegos, shkruan Sky Sports.
Por është çerekfinalja me Anglinë të dielën, 22 qershor, e cila mbetet momenti përcaktues i karrierës së tij. Në veçanti, ato katër minuta fatale kur legjenda u shtua për përjetësinë.
Nxehtësia ishte e madhe në Mexico City. Në përgatitje e sipër për çerekfinalen me Anglinë, stafi i Argjentinës kishte kërkuar me shpejtësi nëpër dyqanet lokale për bluza më të lehta dhe më komode që skuadra mund të vishte. Dielli i qershorit poqi stadiumin “Estadio Azteca”.
Kishte edhe nxehtësi të një lloji tjetër brenda tij.
Përleshjet filluan midis tifozëve përreth stadiumit dhe brenda tij. Katër vjet nga lufta e Falklands, kjo ndeshje kishte nxitur emocione. Edhe lojtarët e Argjentinës e ndienin atë.
“Pa dyshim që kishte një kuptim tjetër”, tha Jorge Luis Burruchaga më vonë për CNN. “Ne ishim të vetëdijshëm se nuk do t'i kthenim të vdekurit e luftës në Falklands, por ishim të vetëdijshëm se do të sillnim pak lumturi”
Ndërsa më vonë, Maradona në autobiografinë e tij shkroi se “kjo ishte hakmarrje”.
Kishte edhe histori futbolli. Në vitin 1966, Argjentina u ndie e grabitur nga humbja e tyre 1:0 në çerekfinale ndaj Anglisë në stadiumin “Wembley”.
Geoff Hurst, që shënoi golin e vetëm, sipas argjentinasve, ishte në pozitë jashtë loje. Dhe pse u përjashtua kapiteni i Argjentinës, Antonio Rattin? Duke protestuar, ai përfundimisht u shoqërua nga policia për t’u larguar nga fusha, ndërsa trajneri i Anglisë, Alf Ramsey, më vonë e quajti Rattinin dhe lojtarët e tjerë të Argjentinës “kafshë”.
Vjedhja e Shekullit. Kështu e quajti shtypi argjentinas atë humbje.
Njëzet vjet më vonë, Argjentina kishte hakmarrjen e saj. Dhe Golin e Shekullit.
Kishte 114,000 tifozë në “Estadio Azteca” për ndeshjen. Ata u magjepsën nga një pjesë e parë tërheqëse - por pa gola -. Sulmuesi Peter Beardsley ishte shpresa e madhe e ekipit të Bobby Robsonit derisa Maradona testoi disa herë portierin Peter Shilton.
Gjashtë minuta në pjesën e dytë, të gjithë ata sy u trajnuan edhe një herë tek Maradona, ndërsa ai vrapoi dhe më pas kërceu drejt një topi të lirshëm, ndërsa tërhiqej në ajër në zonën e Anglisë. Në një çast, ishte kaluar Shiltoni dhe topi ishte në rrjetë.
Arbitri Ali Bin Nasser nuk e kishte parë. As ndihmësit e tij gjithashtu prekjen me dorë. Grushtimi i topit nga ana e Maradonas gjatë kërcimit në ajër e kishte devijuar topin prapa portierit të Anglisë.
Dora e Zotit, Maradona e quajti atë gol pas ndeshjes. Por kjo nuk ishte asnjë ndërhyrje hyjnore.
Anglia u inatos. Ishte një ndjenjë që mezi u tërhoq gjatë viteve që pasuan.
"Ai nuk kërceu mbi mua. Ai mashtroi", tha Shilton në një intervistë për Guardian në janar 2020. “E gjithë skuadra e Anglisë vuajti sepse ai mashtroi. Ai nuk tregoi ndonjë pendim”.
Maradona u kënaq me golin dhe asnjëherë nuk u ndie fajtor. Vetëm pesë vjet më parë ai vizitoi arbitrin Bin Nasser në Tunizi dhe ia dha atij një fanellë të Argjentinës dhe e përshkroi zyrtarin si “Miku im i përjetshëm".
Ai gol përmblodhi djallin e djallëzuar në lojën e Maradonas.
Vetëm katër minuta më vonë, ai paraqiti anën tjetër të tij para botës. Madhështinë.
Glenn Hoddle ngriti të dy duart lart në ajër. Ndërhyrja e Sergio Batistas ishte e vonshme dhe rrëzoi mesfushorin e Anglisë pikërisht nën hundën e gjyqtarit Bin Nasser. Asnjë faull. Asnjë goditje e lirë. “Luaj”, bërtiti ai.
Topi u rrokullis te Hector Enrique, i cili largohet nga kundërshtari i tij dhe e pason te Maradona që ishte shtatë metra brenda gjysmëfushës së Argjentinës.
“Një pasim të tillë vështirë se Diego mund të humbaste", do të bënte shaka më vonë Enrique.
Maradona merr topin me këmbën e majtë për të shmangur përpjekjen e menjëhershme nga Beardsley për t’ia grabitur topin. Një lëvizje e mençur dhe një rrotullim i tij bën që Maradona të largohet me topin dhe gjithashtu t’i shpëtojë ndërhyrjes së Peter Riedit.
Me ato lëvizje Maradona e nxjerr veten nga situata e sikletshme dhe tani askush nuk po mund ta kapë.
I papenguar, Maradona me shpejtësi nisi t’i afrohej portës së Anglisë. Reid humb terren me secilin hap të tij të gjatë, më të ngadaltë.
Papritmas Maradona shikon lart. Ngadalësohet. Dhe pas një prekjeje të shkathët me pjesën e jashtme të këpucës së tij të majtë për të qetësuar topin Maradona tejkaloi edhe sfidën me Terry Butcher duke bërë një sllallom të vërtetë.
Ky driblim e ka sjellë Maradonën më afër portës së Anglisë. Por atje, në buzë të zonës së penalltisë, është Terry Fenwick. Si një rojë e zonës, ai qëndron dhe përpiqet ta ndalë Maradonan.
Nuk ka sukses. Maradona është shumë i shpejtë, shumë i shkëlqyeshëm, shumë i shkathët. Një prekje tjetër me atë çizmen e majtë e godet topin dhe Fenwick bie poshtë.
Ai është në zonë tani. Shilton del përpara, linja e fundit e mbrojtjes së Anglisë.
Topi është në anën e favorizuar të Maradonas.
Ai hap trupin e tij, duke e kaluar edhe portierin përpara se ta dërgojë topin në portën e zbrazët.
“Genio! Genio! Genio! Ta-ta-ta-ta-ta-ta y Gooooooool… Golaaaazoooo! ", ishte komentimi i komentatorit të Radio-Argjentinës, Victor Hugo Morales.
Maradona është ngritur menjëherë. Nxiton drejt flamurit të kornerit për të festuar me Jorge Burruchaga. Numri shtatë i Argjentinës vrapoi përkrah Maradonës për ato 11 sekonda të pabesueshme.
“Faleminderit, Zot, për futbollin, për Maradonan, për këta lot, për këtë: Argjentina 2, Anglia 0”, vazhdon Morales komentimin.
Ndërsa Barry Davis i televizionit britanik pranon: “Ky ishte thjesht një gjeni i pastër futbolli”.
Maradona më vonë do të reflektonte. “Kurdo që ta shoh përsëri këtë nuk mund të besoj se e kam shënuar. Jo sepse shënova, por sepse duket si një gol që thjesht nuk është i mundur, një gol që mund ta ëndërrosh, por kurrë nuk e shënon në të vërtetë”.
Nuk kishte kthim prapa. Gary Lineker shënoi kur kishin mbetur edhe nëntë minuta lojë dhe Anglia deri në fund e kërkoi edhe golin e barazimit që nuk erdhi. Dhe Argjentina e mori revanshin e saj.
Sulmuesi i Anglisë mori “Këpucën e Artë” me gjashtë gola gjatë turneut, por “Topi i Artë”, i akorduar për lojtarin më të mirë të Kupës së Botës po i shkonte vetëm një njeriu.
Maradona pas golit fantastik ndaj Anglisë realizoi edhe një tjetër të mrekullueshëm në gjysmëfinalen kundër Belgjikës.
Në finale, kundër Gjermanisë Perëndimore, i madhi Lothar Matthaus ishte njeriu që do ta ndiqte Maradonën hap pas hapi gjatë tërë ndeshjes. Por ai nuk mund të parandalonte që asi i Argjentinës të asistonte për folin e fitores të Argjentinës që e shënoi Burruchaga katër minuta para përfundimit të ndeshjes për rezultatin përfundimtar 3:2.
Argjentina ishte kampione dhe Maradona udhëhoqi këndimin pas vërshëllimës përfundimtare. Heroi i një kombi.
Goli i tij i dytë kundër Anglisë u emërua si “Goli i Shekullit” në një votim të FIFA-s përpara Kupës së Botës të vitit 2002.
Shkëlqimi i këtij goli, në kontrast me dinakërinë e katër minutave të para të tij, është një kujtesë e përshtatshme për dritën dhe errësirën e Maradonas.
Katër minuta. Dy momente. Një legjendar, Diego Maradona.