Sport

Muriqi së paku dy javë jashtë fushës

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi do të jetë të paktën dy javë jashtë fushës shkaku i lëndimit gjatë ndeshjes që Lazio e fitoi të martën ndaj Zenitit në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Kështu ka raportuar të enjten “La Lazio Siamo Noi”.

Muriqi u inkuadrua në fushë në minutën e 80-të dhe pati disa duele me mbrojtësit e Zenitit. Ai do t’i mungoj Lazios në ndeshjen kundër Udineses, Borussia Dortmundit dhe Spezias. Muriqin e kanë përcjellë probleme që kur iu bashkua Lazios nga Fenerbahçe. Ai fillimisht mungoi shkaku i infektimit me koronavirusit, derisa më vonë shkaku i problemeve muskulore humbi dy ndeshjet e para të këtij edicioni në Itali.

Sulmuesi 26-vjeçar nga Prizreni ka luajtur katër ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe katër në Serie A. Por, në asnjërën prej tetë ndeshjeve nuk ka shënuar e as nuk ka asistuar. Te Lazio u transferua në shtator të këtij viti nga skuadra e Fenerbahçes, derisa ka kontratë deri në verën e vitit 2025.