Sport

Momentet e fundit të Maradonës

Diego Armando Maradona në Tigre, në veriperëndim të Buenos Airesit, ishte vendosur për të marrë sërish forcat.

Pas operacionit në kokë në fillim të nëntorit, ai mori me qira shtëpinë në periferi për të marrë veten. Të mërkurën pasdite ai vdiq atje në moshën 60-vjeçare.

Sipas mediumeve të shumta argjentinase, dita e tij nisi si çdo ditë tjetër e Maradonas në Tigre. Ai u zgjua në orën 10 dhe hëngri mëngjes. Më pas bëri një ecje të vogël. Një orë më vonë u shtri në shtrat për të pushuar.

“Po ndjehem keq”. Këto ishin fjalët e fundit të Maradonës. Ai ia tha nipit Jonny, para se të shtrihej për të fjetur.

Në rrethana normale në mesditë duhej të merrte ilaçet e tij. Kujdestarja e tij u mundua ta zgjonte, por ai nuk reagoi. Me të ishte psikologu dhe po ashtu nipi Jonny. Ata telefonuan ndihmën e parë. Gjashtë ambulanca nxituan për te shtëpia.

Maradonës menjëherë iu dha ndihma mjekësore, plotë një orë u reanimua, por asnjëri nuk mundi të bënte diçka për të ndryshuar situatën. Zemra e kampionit të botës të vitit 1986, kishte pushuar, shkruan “Blick”.

Të enjten trupi është dërguar për autopsi, për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes. Xhirimet nga droni kapën momentin kur u dërgua trupi për në spital. Në prapavijë dëgjoheshin tifozët duke bërë thirrje për legjendën.

Pjesëmarrja është e madhe. Presidenti i Argjentinës shpalli tri ditë zie nacionale. Kryebashkiaku i Napolit bëri thirrje që stadiumi i klubit “San Paolo” të marrë emrin e legjendës Maradona. Me Napolin, Maradona, arriti sukseset më të mëdha, duke fituar dy tituj të Series A.

Trupi i Maradonës është vendosur në pallatin presidencial të Argjentinës, ku do të bëhen homazhe deri të shtunën.

Data 25 nëntor është një ditë0 e zezë për botën e futbollit. Por, për Maradonën, kjo ditë ishte e zezë që nga viti 2016. Pasi në këtë ditë, kishte vdekur në moshën 90-vjeçare Fidel Castro, diktatori kuban dhe një shok i mirë i Maradonës.