Ka shumë anglezë që edhe në ditën e vdekjes të atij që konsiderohet si futbollisti më i mirë i historisë, nuk ia falin një gjest që shkatërroi ëndrrën e tyre.
Të mërkurën, në ditën kur vdiq legjendari argjentinas nga një sulm në zemër, anglezët, gjëja e parë që kujtuan, ishte goli me dorë i Diego Armando Mardonës në çerekfinalen e Botërorit 1986 në Meksikë.
Maradona në atë ndeshje shënoi dy gola, një që konsiderohet si aksioni më i bukur i ekzekutuar nga argjentinasi dhe tjetrin me dorë. Maradona më vonë atë gol e quajti “Dora e Zotit”.
Argjentina mposhti Anglinë 2:1 dhe më pas fitoi edhe finalen për t’u shpallur kampione e botës për herë të dytë dhe të fundit.
Dhimbja tek anglezët ishte e madhe, jo për shkak të humbjes sa për shkak të mënyrës se si u shënua goli i fitores së argjentinasve.
Për këtë, gazeta “Daily Star” vendosi që të enjten të hapë ballinën me titullin: “Ku ishte VAR-i kur na duhej më shumë se kurrë?” dhe me foton ku shihet Maradona teksa godet topin me dorë, e që gjyjqtarit iu duk sikur po e godet me kokë.
Në një intervistë për “Daily Mail”, portieri anglez që i pësoi golat, Peter Shilton, tha se ende nuk ia ka falur Maradonës golin e famshëm me dorë.
“Ishte lojtar i madh, por jo sportist. Është futbollisti më i mirë që kam pasur përballë. Por nuk më ka pëlqyer fakti që nuk kërkoi kurrë falje për atë gol. Nuk pranoi kurrë se bëri me hile. Gjithsesi, më vjen shumë keq që iku në atë moshë”, tha Shilton.
Maradona vdiq të në moshën 60-vjeçare pas një sulmi në zemër.
