Sport

Reali lë pa fitore Interin në Champions, Liverpooli befasohet nga Atalanta

Skuadra e Interit nuk e ka shijuar fitoren në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve as pas xhiros së katërt. Interi, të mërkurën mbrëma, pësoi humbje në shtëpi nga Real Madridi me rezultatin 2:0, në ndeshjen e luajtur në kuadër të Grupit B.

Eden Hazard (7’) nga penalltia dhe autogoli i Achraf Hakimit (59’), vulosën fitoren e Realit që është e dyta rresht përballë Interit brenda dy javëve. Interi ndeshjen e mbylli me një futbollist më pak, pasi mesfushori Arturo Vidal në minutën e 33-të u përjashtua nga loja.

Me këtë fitore, Reali është ngritur në pozitën e dytë në grup me shtatë pikë, një më pak se Borussia Moenchengladbachu, që të mërkurën triumfoi në shtëpi ndaj Shakhtar Donetskut (4:0) për të mbetur në krye të grupit. Ndërkohë, Interi zë vendin e fundit në grup me dy pikë, derisa pozita e tretë i takon Shakhtarit me katër pikë. Interi në katër ndeshje të zhvilluara ka regjistruar dy barazime e dy humbje dhe është në prag të eliminimit nga faza e grupeve, kur kanë mbetur edhe dy xhiro të pazhvilluara.

Për dallim prej Interit që pësoi humbje në shtëpi, skuadra tjetër nga Serie A, Atalanta, e befasoi në udhëtim Liverpoolin në ndeshjen e Grupit D. Me golat e Josip Iliçiqit (60’) e Robin Gosensit (64’), Atalanta triumfoi 2:0 në “Anfield Road” për t’iu revanshuar Liverpoolit për humbjen e thellë që ia shkaktoi dy javë më parë në Itali (6:0). Te Atalanta në këtë ndeshje ishte i pazëvendësueshëm mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Xhimshiti. Kjo fitore e ka ngritur Atalantan në pozitën e tretë në grup me shtatë pikë të mbledhura, sa i ka edhe Ajaxi që është i dyti dhe triumfoi 3:1 ndaj Midtjyllandit, që mbetet pa pikë. Për Liverpoolin kjo ishte humbja e parë këtë edicion në Champions pas tri fitoreve rresht. Sulmuesi kosovar Mërgim Berisha ka shënuar gol për Salzburgun që pësoi humbje 3:1 në udhëtim nga Bayerni, që tashmë ka siguruar kalimin në raundin tjetër. Berisha luajti gjatë tërë ndeshjes te ekipi austriak dhe golin e shënoi në minutën e 73-të.

Image