Sport

Besa kundër Boracit, Prishtina ndaj AEK-ut

Besa kundër Boracit, Prishtina ndaj AEK-ut
 

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, në raundin e tretë të Kupës Evropiane do të përballet me Boracin e Banjallukës, kurse Prishtina me AEK-un e Greqisë. Shorti për këtë fazë të garave është tërhequr të mërkurën. Besa ndeshjen e parë do ta luajë në Pejë (12/13 dhjetor), kurse të kthimit një javë më vonë në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës. Skuadra pejane ka kaluar në këtë raund të garave, falë paraqitjes së mirë që pati ndaj ekipit tjetër boshnjak, Bosna Visoko. Besa i fitoi të dyja ndeshjet që u luajtën në Pejë. Besa Famgas ka pretendime për të shkuar përtej raundit të tretë të Kupës Evropiane. Ka disa vite që merr pjesë në garat evropiane. Ka përvojën e duhur për të synuar të paraqitet sa më shumë në garat e Evropës për klube. Hendbollisti Kastriot Jupa ka thënë se Boraci është kundërshtar i kalueshëm, por ka thënë se duhet dhënë maksimumin për ta arritur këtë.

“Boraci është një ekip i nivelit më të lartë se kundërshtarët që i kishim në raundin e dytë, Bosna Visoko. Ka një ekip shumë më të fortë dhe momentalisht janë në pozitën e dytë në Superligën e Bosnjës. Do të jetë një sprovë e madhe për neve, të shohim a kemi një ekip konkurrent për arenën ndërkombëtare. Sigurisht se është kundërshtar i kalueshëm dhe besoj që kemi mundësi të madhe dhe reale për kalim tutje”, ka thënë Jupa për KOHËN.