Sport

“Përqendrim, uri, dinakëri”, receta e Contes për ta mposhtur Real Madridin

Interi i Antonio Contes do të përballet me Real Madridin në kuadër të Ligës së Kampionëve, ndeshje që trajneri italian e përshkruan si “finale” për shkak se të dyja ekipeve iu nevojitet fitorja. Kjo ndeshje luhet të mërkurën prej orës 21:00 dhe Conte beson se ekipi i tij do të triumfojë. Ai ka insistuar se Interi tashmë e ka recetën për të triumfuar në këtë “finale”, që përbëhet prej “përqendrimit, urisë dhe dinakërisë”, shkruan Reuters. 

Sipas Contes, Interi nuk ka tjetër opsion veç fitores nëse dëshiron të vazhdojë përtej fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Para dy javëve, në duelin e luajtur në stadiumin “Santiago Bernabeu”, skuadra e Interit pësoi humbje nga Real Madridi me rezultatin 3:2.

Interi zë vendin e fundit në Grupin B me dy pikë të tubuara pas tri ndeshjeve dhe po shpreson që fitoren e parë këtë edicion të Championsit ta shijojë pikërisht ndaj Realit. Skuadra spanjolle zë vendin e tretë me katër pikë, sa i ka edhe Shakhtar Donetsku që është i dyti, derisa grupit i prin Borussia Moenchengladbachu.

“Pas rezultateve të fundit ne nuk kemi zgjidhje tjetër, kështu që ndeshja me Real Madridin është finale si për ne ashtu edhe për madrilenët. Ne mund të fitojmë dhe do të mundohemi ta bëjmë këtë duke u treguar të përqendruar, të uritur dhe dinakë gjatë tërë ndeshjes. Nuk ka më biseda, por fakte dhe përgjegjësia është te të gjithë, duke filluar prej meje, te futbollistët dhe stafi i klubit”, është shprehur Conte në konferencën e mbajtur të martën. “Na duhen shtatë pikë, ndoshta edhe nëntë për t’u kualifikuar përtej fazës së grupeve. Është grup i vështirë, por ne meritojmë të jemi në pozitë më të mirë. Kur e them këtë, mendoj në fitoren ndaj Real Madridit që është e domosdoshme”.

Krahas Contes, edhe kapiteni i Interit, Samir Handanoviq, beson në fitore ndaj Realit. Handanoviqi ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë, por ka shtuar se tek Interi janë maksimalisht të përgatitur, të motivuar dhe të fokusuar për triumf në këtë përballje.

Pas duelit me Realin, skuadra e Interit deri në fund të fazës së grupeve do të përballet edhe me Shakhtarin e Gladbachun, ekipe me të cilat ka barazuar në ndeshjet e para.

“Tri ndeshjet e ardhshme të Championsit, duke filluar nga dueli me Realin, janë të rëndësishme për kualifikimin tonë. Ne duhet të fitojmë për të avancuar tutje pasi ky është synimi i gjithë klubit. Nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë, por jemi të gatshëm ta dëshmojmë veten. Na duhen edhe shtatë pikë për të qenë të sigurt dhe do të bëjmë të pamundurën t’i arkëtojmë”, ka thënë Handanoviqi.

Përderisa Interi do të jetë i kompletuar, te Real Madridi do të ketë mungesa. Karim Benzema, Sergio Ramos e Eder Militao janë lënë jashtë skuadrës për këtë ndeshje. Sulmuesi francez dhe mbrojtësi spanjoll janë të lënduar, ndërsa Militao ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Edhe Luka Joviq është jashtë për shkak të COVID-19, ndërsa Federico Valverde e Alvaro Odrizola janë të lënduar gjithashtu. Real Madridi asnjëherë nuk ka dështuar të kalojë përtej fazës së grupeve në 24 edicionet e fundit të kësaj gare, saktësisht prej vitit 1997.

Mesfushori i Realit, braziliani Casemiro, është i bindur se edhe këtë sezon madrilenët nuk do ta kenë problem të kualifikohen në fazën e nokautit.

“Në ndeshjen e shkuar e mposhtëm Interin falë mentalitetit tonë edhe pse nuk ishte aspak e lehtë. Kështu që edhe këtë herë do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne duhet të fitojmë për të vazhduar tutje. Jemi të gatshëm për të vazhduar me fitore në Ligën e Kampionëve dhe të sigurojmë sa më herët që është e mundur kualifikimin në këtë grup të vështirë”, është shprehur Casemiro. “Kam besim se të gjithë do t’i kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësinë më të madhe, pavarësisht mungesave që kemi”.

Ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë ajo ndërmjet Borussia Moenchengladbachut dhe Shakhtarit, që zhvillohet në Gjermani prej orës 18:55. Në Gjermani do të luhet të mërkurën edhe ndeshja e Grupit A ndërmjet Bayern Muenchenit e Salzburgut, por prej orës 21:00. Bavarezët janë të vendosur për ta vazhduar serinë pozitive në Ligën e Kampionëve pasi i prijnë grupit me pikë maksimale pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Dueli i parë mes Bayernit e Salzburgut i luajtur para dy javësh në Austri, përfundoi me fitoren e thellë të bavarezëve me rezultatin 6:2.

“Kemi telashe me lëndimet, por duhet të vazhdojmë në mënyrë që sa më herët të sigurojmë kualifikimin në fazën tjetër”, ka thënë trajneri i Bayernit, Hansi Flick.

Bayerni në këtë ndeshje do të jetë pa mbrojtësit Niklas Suele, Lucas Hernandez, Alphonso Davies e Joashua Kimmich, që të gjithë të lënduar. Mungojnë edhe Corentin Tolisso e Bouna Sarr. Ndërkohë, Atletico Madridi do t’i revanshohet Lokomotivës së Moskës pas barazimit 1:1 në ndeshjen e fundit. Skuadra spanjolle zë vendin e dytë me katër pikë të tubuara para Lokomotivës (2) që është e treta dhe Salzburgun që renditet i fundit me një pikë. Te Salzburgu prej minutës së parë në duelin kundër Bayernit pritet të aktivizohet sulmuesi shqiptar, Mërgim Berisha.

E mërkurë

Grupi A

Madrid – Lokomotiva M. (21:00)

Bayern M. – Salzburg (21:00)

1. Bayern M. 3 9

2. Atl. Madrid 3 4

3. Lokomotiva M. 3 2

4. Salzburg 3 1

Grupi B

Borussia M. – Shakhtar D. (18:55)

Inter – Real Madrid (21:00)

1. Borussia M. 3 5

2. Shaktar D. 3 4

3. Real M. 3 4

4. Inter 3 2

Grupi C

Olympiacos – Man. City (18:55)

Marseille – Porto (21:00)

1. Man. City 3 9

2. Porto 3 6

3. Olympiacos 3 3

4. Marseille 3 0

Grupi D

Ajax – Midtjylland (21:00)

Liverpool – Atalanta (21:00)

1. Liverpool 3 9

2. Ajax 3 4

3. Atalanta 3 4

4. Midtjylland 3 0