Sport

Bajoku boksieri më i mirë i turneut “Adem Jashari”

Descriptive Text

Shpejtim Bajoku është shpallur boksieri më i mirë i turneut ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Finalet e turneut të 22-të me radhë janë organizuar sot.

“Moti nuk kemi boksuar për shkak të pandemisë. Ky çmim më motivon shumë dhe besoj se do të fitojë edhe shumë tituj. Kam me arrit qëllimin që e kam për të arritur kulmin”, ka thënë Bajoku, njofton KosovaPress.

Tekniku më i mirë u zgjodh Esthemes Andrey i Bullgarisë, ndërsa boksieri më fer-plej, Arsim Hetemi, nga Maqedonia e Veriut. Boksieri më i mirë i huaj u zgjodh Kimil Rusonov i Bullgarisë, ndërsa Besart Pireva u zgjodh boksieri më i mirë vendor.

Legjenda e boksit Aziz Salihu, themelues njëherit i turneut “Adem Jashari”, është ndarë i kënaqur që është zhvilluar turneu, por pranon se ndjehet mungesa e tifozëve.

“Më së pari gëzohem që është në pyetje turniri të cilin e kam themeluar unë “Adem Jashari”, kënaqësi dhe po i shohim shumë do ndeshje të forta, të mira…. Po boksojnë rinia aq mirë, kjo është kënaqësi. Unë po habitem nga po dalin kështu, në këtë virus i cili na mbyti... Unë mendojë që duhet me iu ndihmu shumë boksit. Ju po e shihni që krejt shtetet që janë nga tre, katër apo pesë muaj shkojnë nëpër përgatitje, kurse ne me dhjetë ditë shkojmë boksojmë në turnire. Unë po habitem se si po boksojnë me këta të huajtë dhe po fitojnë”, tha Salihu. ““Është kënaqësi kur i ke tifozët tuaj, je mësuar. Si përpara unë e di tri herë që e kam mbajtur turneun “Adem Jashari” i kam pasur nga 7000 -8000 veta, ishte diçka fenomenale. Ndoshta ky virus tash shkon dhe bëhet më mirë. Boksi për mua është numër një në të gjitha sportet.”

Në turneun e sivjetëm kanë marrë pjesë boksierë nga Bullgaria, Zvicra, Sllovakia, Maqedonia e Veriut, Malit të Zi dhe Shqipëria.