Sport

Spanja po shpreson në suksese pas fitores historike ndaj Gjermanisë

Descriptive Text

Kritikat po përkeqësoheshin derisa rezultatet zhgënjyese po grumbulloheshin dhe presioni po shtohej mbi trajnerin Luis Enrique. Mirëpo Përfaqësuesja e Spanjës i heshti të gjithë të martën mbrëma derisa shpartalloi kampionen e katërfishtë të Botës, Gjermaninë me rezultatin 6:0 në kuadër të Ligës së Kombeve, shkruan AP. 

“Ndoshta ky rezultat do të ndihmojë që tifozët të shpresojnë përsëri dhe t’i bindë ata që kishin dyshime tek ne”, tha përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique. “Ishte shumë e rëndësishme t’u ktheheshim fitoreve me një paraqitje të shkëlqyer sikur kjo me Gjermaninë”.

Përpara ndeshjes, zgjedhjet e Enriques po viheshin në dyshim dhe disa prej vendimeve të tij po kritikoheshin ashpër. Lojtarët ishin gjithashtu në shënjestër. Shqetësimet po ngriheshin për përvojën e tyre ndërsa shpresat për të parë ekipin të përparonte në Ligën e Kombeve po zbeheshin shpejt. Kjo bëri që edhe pritjet e një suksesi eventual në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm të zbeheshin në masë të madhe. Megjithatë, të gjitha këto dyshime dhe kritika u shuan shpejt falë fitores historike në qytetin e Sevillas. Fitorja dominuese ndaj Gjermanisë e kualifikoi Spanjën në “Final Fourin” e Ligës së Kombeve për herë të parë dhe qetësoi shumicën e kritikëve vendas. Spanja në ndeshjen kundër Gjermanisë po vinte pas një serie negative. Kishte pësuar nga Ukraina, barazuar me Zvicrën në Ligën e Kombeve, si dhe Holandën në ndeshjen miqësore. Barazimi me Zvicrën javën e shkuar la Spanjën në nevojë për një fitore kundër Gjermanisë që i printe grupit për të shmangur një tjetër eliminim në Ligën e Kombeve. Pak njerëz besuan se Spanja do të kishte shumë mundësi përballë Gjermanisë duke marrë parasysh paraqitjet e saj zhgënjyese në ndeshjet e fundit, por nuk u nevojit shumë që kjo qasje të ndryshonte. Skuadra spanjolle dominoi që nga fillimi në stadiumin “La Cartuja” duke shënuar tre gola në pjesën e parë dhe tre të tjerë në pjesën e dytë për t’i shkaktuar Gjermanisë humbjen më të thellë në një ndeshje zyrtare. Në vitin 1954, Gjermania Perëndimore kishte pësuar nga Hungaria me rezultatin 8:3 në fazën e grupeve të Kupës së Botës. Luis Enrique kishte thënë gjatë gjithë kohës se ai kishte besim te skuadra e tij dhe po vinte re disa aspekte pozitive pavarësisht mungesës së rezultateve të mira. Më në fund të gjitha këto u bashkuan në një ndeshje të vetme, atë ndaj Gjermanisë.

“Lojtarët e dinë potencialin e tyre dhe kjo është një siguri e madhe për ata. Kjo fitore do t’i ndihmojë ata të motivohen”, ka pranuar Enrique.

Ai më tej vlerësoi ekipin e tij duke folur edhe për Përfaqësuesen e Gjermanisë. Shtoi se kjo fitore ishte shumë e rëndësishme dhe u arrit përballë një ekipi shumë të fortë.

“Gjermania mbetet një nga ekipet më të mira në Evropë dhe botë, erdhi të luajë kundër nesh e pamposhtur dhe luajti me lojtarët më të mirë që kishte në dispozicion. Për të bërë presion mbi një ekip si Gjermania, atëherë duhet një punë e shkëlqyeshme kolektive nga të gjithë, në sulm dhe mbrojtje”, shtoi Enrique.

Ai gjithashtu insistoi se fitorja do ta mbajë lart besimin e futbollistëve në Kampionatin Evropian, që është një gjë shumë e mirë. Enrique shtoi se ai u kishte thënë lojtarëve të tij se kundër Gjermanisë duhet të kenë një qasje sikurse po luajnë në Evropian.

“Ne u përgatitëm për këtë ndeshje sikur të ishte një çerekfinale. Ne donim që ajo të dukej si një ndeshje eliminuese në Evropian dhe kjo bëri që lojtarët dhe ekipi të tregohen të jashtëzakonshëm. Me këtë qasje dhe fitore ndaj Gjermanisë, besoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha vitin e ardhshëm”, u shpreh Enrique.

Zhgënjimi i vetëm i Enriques për ndeshjen me Gjermaninë ishte që tifozët personalisht nuk e panë fitoren historike të Spanjës nga tribunat për shkak të pandemisë së koronavirusit.

"Thjesht, është turp që tifozët tanë nuk arritën ta shijojnë një ndeshje të tillë nga tribunat”, tha Enrique.