Sport

Një muaj më parë Kosova kërkonte Evropianin, tani kërkon “vetëm” mbetjen në Ligën C

Për futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, fitorja kundër Moldavisë do të thoshte shumë. Lojtarët e Kosovës janë të bindur se do të fitojnë të mërkurën kundër Moldavisë, në ndeshjen që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Me fitore eventuale, Kosova do ta ndalte serinë negative prej dhjetë ndeshjeve dhe do ta siguronte pjesëmarrjen në Ligën C edhe në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Por për ta arritur një gjë të tillë, ndihmësi i selektorit Bernard Challandes, Muharrem Sahiti, ka kërkuar maksimumin nga lojtarët.

Misioni për ndeshjen e së mërkurës, ndër të tjera, dëshmon edhe për rënien e Kosovës. Përfaqësuesja një muaj më parë kërkonte vendin në “Euro 2020”. Këtë ia mohoi Maqedonia e Veriut. Tani “dardanët” kërkojnë vetëm mbetjen në Ligën C të Ligës së Kombeve, që është niveli i tretë i kësaj gare.

Në mungesë të Challandesit të infektuar me koronavirus, Sahiti do ta udhëheqë Kosovën edhe në ndeshjen ndaj Moldavisë, që luhet nga ora 20:45.

Është edhe ndeshja e fundit e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, që për “dardanët” ishte kampanjë dëshpëruese.

Se ishte vit për t’u harruar, e pranoi edhe Sahiti në konferencën për media. Para konferencave, Kosova e Moldavia zhvilluan stërvitjet e fundit në fushën e stadiumit të qytetit në Prishtinë, ku luhet ndeshja vendimtare për të dyja përfaqësueset.

“Nuk kemi pasur një vit të mirë, të gjithë pajtohemi me këtë realitet. Por edhe nga këto kemi marrë mësim për të ardhmen. Tash jemi në një situatë që e kemi ndeshjen e fundit për të qëndruar në këtë grup. Ne jemi me çdo kusht që të mbetemi pjesë e këtij grupi. Nuk është më ai sistemi i vitit të kaluar që nga Liga D të jepet mundësia e plejofit për kualifikim. Tash është krejt ndryshe dhe prej grupit D nuk ka gjasa kualifikimi, ngase shkon Gjermania direkt si organizatore. Prandaj është mësim i mirë që nga viti i ardhshëm ose nga dita e shortit në dhjetor të përgatitemi për kualifikimet e Kampionatit Botëror”, ka thënë Sahiti në konferencën për media.

Kosova nuk ka fitore që prej tetorit të vitit të kaluar, kur pati triumfuar ndaj Malit të Zi në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.

Humbjen e fundit Kosova e pësoi ndaj Sllovenisë, të dielën në Lubjanë. Humbi me golin e pësuar në fund të ndeshjes, por Sahiti insiston se paraqitja e futbollistëve ka rritur motivin. Sahiti ka vlerësuar se janë favoritë, por, megjithatë, pret përballje të vështirë ndaj moldavëve.

“Gjendja e lojtarëve është e mirë. Përkundër humbjes kundër Sllovenisë treguam mentalitet të jashtëzakonshëm, një rikthim i mirë dhe nëse kemi angazhimin e njëjtë ne duhet të fitojmë ndeshjen kundër moldavëve. Jemi favorit edhe pse nuk ka ndeshje të lehta, kjo është dëshmuar edhe në ndeshje të tjera. Moldavia e ka përmirësuar shumë lojën defensive, këtë e ka dëshmuar edhe ndaj Rusisë që luajtën baras. Por, kjo pak na intereson, na intereson të hyjmë të bashkuar në fushë për ta fituar ndeshjen”, ka theksuar Sahiti.

Ai ka shtuar se pandemia i ka penalizuar goxha shumë.

“Nuk jemi të kënaqur me rezultatet dhe duhet të punojmë për t’u kthyer vetëbesimi dhe ne duhet ta kemi të qartë që nuk jemi prej atyre më të fortëve, pasi çdo mungesë ka qenë e madhe për ne”, është shprehur Sahiti.

Në dhjetë ndeshjet e fundit Kosova i ka pësuar tetë disfata dhe ka dy barazime.

Sahiti ka arsyetuar rezultatet negative duke thënë se pandemia i ka penalizuar. Por ai ka bindjen se Kosova do të mbetet pjesë e Ligës C.

Fitorja dhe barazimi ia sigurojnë Kosovës qëndrimin në Ligën C edhe në edicionin e tretë të garës evropiane për përfaqësuese. Në rast të humbjes, Kosova duhet të luajë në plejof për të siguruar qëndrimin në këtë nivel garash.

I bindur se do të mbeten në Ligën C është edhe Herolind Shala, që kthehet pas suspendimit. Te Kosova për ndeshjen kundër Moldavisë është kthyer nga lëndimi Bersant Celina. Do t’i mungojë nga ndeshja e kaluar Bernard Berisha shkaku i suspendimit, derisa të hënën i është bashkuar grupit mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaçi.

“Besoj se nesër (e mërkurë v.j.) duhet t’i tregojmë vlerat tona si ekip. Në lojën që e luajtëm kundër Sllovenisë kemi treguar kualitet, por nuk patëm fat. Nesër jemi favorit ndaj Moldavisë që është ekip i mirë dhe mund të na shkaktojë probleme, por synimi ynë është fitorja, në të cilën edhe besojmë. Ky edhe është synimi ynë i vetëm ndaj Moldavisë”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se ndaj Sllovenisë kanë treguar cilësitë, porse u mungoi fati, derisa ndaj Moldavisë synojnë pikët e plota në mënyrë që të kthejnë entuziazmin.

“Për gjitha skuadrat që nuk arrijnë fitore në shumë ndeshje, është problem. Por ne kemi besim që nesër do të fitojmë. Duhet të dalim si ekip i bashkuar për ta fituar ndeshjen dhe ta kthejmë entuziazmin”, ka thënë Shala.

Për fitore në Prishtinë ka ardhur Moldavia. Kështu të paktën thonë përzgjedhësi Engin Firat dhe portieri Stanislav Namashko. Firat ka thënë se rreziku kryesor do të jetë sulmuesi Vedat Muriqi.

“Kosova është një ekip i fortë dhe do të jetë e vështirë. Do të bëjmë gjithçka që ta ndalim Muriqin. Kemi pasur probleme dhe lëndime në fazën e mbrojtjes. Do ta kemi të vështirë ta ndalim Vedatin, por ne do të bëjmë të pamundurën për të arritur rezultat pozitiv. Kosova dhe ne kemi vuajtur nga COVID-19, por Kosova ka një të ardhme të ndritur dhe unë besoj se nuk do të ishte befasi nëse do të luante në Ligën B me potencialin që ka”, tha Firat.

Firat është ankuar për mungesat e shumta që do t’i ketë Moldavia për ndeshjen kundër Kosovës. Megjithatë, pret maksimumin nga lojtarët e tjerë.

Ndërkohë, portieri i Moldavisë, Stanislav Namashko, ka theksuar se synim është veç fitorja.

“Ekipi është i përgatitur për ta bërë më të mirën ndaj Kosovës. Kemi të bëjmë me një ndeshje të vështirë, por Moldavia ka ardhur për ta fituar ndeshjen”, ka theksuar Namashko.

Kosova së bashku me Moldavinë dhe Estoninë janë tri përfaqësueset e vetme në Ligën C që deri më tani nuk kanë shënuar asnjë fitore.