Boksieri amerikan Deontay Wilder i ka bërë thirrje britanikut Tyson Fury që të “bëhet burrë” e ta respektojë marrëveshjen për meçin e tretë mes tyre.
Fury 32-vjeçar e mposhti Wilderin më 22 shkurt të këtij viti me nokaut teknik në raundin e shtatë, duke ia rrëmbyer titullin e botës në versionin WBC në peshën e rëndë. Ishte ajo përballja e dytë mes tyre, pasi të parën në dhjetor të vitit 2018 kishin barazuar.
Një përballje e tretë mes tyre ishte paraparë të ndodhte këtë verë, por shtyrjet për shkak të koronavirusin, detyruan Furyn të ndryshonte planin dhe të thoshte se ka kaluar klauzola për përballjen e tretë.
Wilder në Twitter e ka quajtur Furyn frikacak.
“Personat e frikësuar ikin, por një frikacak e thyen kontratën e tij. Është koha për ty të bëhesh burrë e ta mbash fjalën në vend se të tentosh ta shkelësh marrëveshjen”, ka shkruar Wilder 35-vjeçar, raporton BBC.
Fury ka bilanc prej 30 fitore e një barazim, ndërsa Wilder i ka 42 fitore (41 KO), një humbje e një barazim.